Erion Veliaj, thirrje qytetarëve të Tiranës: Mos hidhni mbeturina më 25 maj
Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës edhe sa i përket mbajtjes pastër të qytetit më 25 maj, kur në kryeqytet pritet të zhvillohet finalja e Conference League.
Për shkak të volumit të madh të punës më 25 maj, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e mbeturinave.
“Ne do të kemi një volum shumë të madh të pastrimit, siç ndodh kur ka koncerte dhe aktivitete të mëdha. Kjo do të thotë se do na ndihmonte shumë që qytetarët të prodhojnë sa më pak ndotje, apo hedhje mbeturinash në datën 25 maj.
Do të ishte mirë sikur hedhja e tyre të bëhet në datën 23 maj në darkë ose në 26 maj në mëngjes, që në datat 24-25 ta kemi vëmendjen të dedikuar tek miqtë dhe jo tek problematikat tona të përditshme.
Çdo qytetar mund të jetë i dobishëm, duke lënë makinën në shtëpi, duke mos ndotur, duke mos hedhur plehrat atë ditë, në mënyrë që skuadrat tona të pastrimit të fokusohen në zonën qendrore të Tiranës”, deklaroi ai.