Erisa Xhixho: Kemi një plan konkret për më shumë vende pune për gratë dhe vajzat
Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erisa Xixho, Endrit Braimllari, Ira Vejsiu etj., kanë zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e minibashkisë numër 2 në kryeqytet. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë njësi, Elez Gjozaj si dhe deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.
Kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erisa Xhixho, në fjalën e saj u shpreh se punësimi për gratë dhe vajzat do të jetë një kryeprioritet për këshilltarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“Ne kemi hartuar një plan shumë konkret për gratë dhe vajzat e reja, të cilat duan të hapin një biznes. Këtë do të realizojmë nëpërmjet mbështetjeve financiare që ne do t’i japim grave de vajzave, nëpërmjet kredive të buta apo qoftë granteve të cilat mund të sigurohen nga agjenci të ndryshme. Një risi tjetër që ne duam të realizojmë për gratë dhe vajzat është që ne si këshilltare të LSI-së të krijojmë forumet e hapura me komunitetin, siç është edhe ky sot. Pra kontakti me qytetarët të jetë gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm në një periudhë fushate elektorale. Pasi më mirë se i dini ju problematikat e përditshme nuk mund të jemi ne në dijeni. Nga ana tjetër ne do të krijojmë një zyrë të posaçme për gratë dhe vajzat në mënyrë që ato të marrin këshillimin, një drejtim për punësimin e tyre”, – tha ndër të tjera, znj. Xhixho.
Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari deklaroi se kryeqyteti ka nevojë për një qeverisje të re e cila do ta çlirojë Tiranën, do ta çlirojë rininë e Tiranës. “Vota për LSI-në është një votë është votë për më shumë shërbim dhe punësim. Tirana ka nevojë për një qeverisje të re, Tirana ka nevojë për një kryetar të ri bashkie, i cili mendon për qytetarët e Tiranës, e çliron rininë e Tiranës dhe që ofron më shumë shërbime. Tirana ka nevojë për një Këshill Bashkiak i cili është pranë qytetarëve. Beteja jonë do të jetë për më shumë shërbim cilësor për qytetarët, beteja jonë do të jetë për më shumë vende të reja pune për të gjithë qytetarët e kryeqytetit”, – u shpreh kryetari i LRI-së, njëherazi kandidat për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari.
Kandidatja tjetër për në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ira Vejsiu, deklaroi se “ne të rinjtë e LRI-së jemi mbi 60% në listat fituese për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Të rinjtë do të jenë të përfaqësuar në mënyrë sa më dinjitoze. Ne do të punojmë fort për të iu afruar të rinjve sa më shumë mundësi punësimi dhe shërbime, ne do të jemi zëri i të gjithëve ju në këshillin bashkiak”
Ndërkohë që kryetari i Socialiste për Integrim për Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë, Elez Gjozaj, deklaroi se vota për LSI-në në zgjedhjet e 21 qershorit do të thotë më shumë zhvillim për minibashkinë 2 në kryeqytet. “Lulzim Basha e braktisi Tiranën. Tashmë i del një përgjegjësi shumë e madhe kryetarit të ardhshëm, i cili është i sigurt që do të zgjidhet, ku çdo votë e jona duhet të jetë për Erion Veliaj. Ndërsa për sa i përket Këshillit Bashkiak unë mund të them që me besimin që do t’i japim këtyre vajzave dhe djemve që do të na përfaqësojnë ne, unë jam i bindur se të gjithë do të bëjnë maksimumin për Tiranën, maksimumin për ne. Më tepër punë do të ketë për qytetarët e Njësisë Bashkiake nr. 2”, – tha z. Gjozaj.
Ndërsa deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, tha se “është detyrimi i bashkisë të krijojë sa më shumë hapësira për të rinjtë, është detyrimi i bashkisë të pastrojë rrugët, është detyrim që të krijojë më shumë vendparkime, është detyrim gjithashtu i bashkisë për ngrohje në çerdhe apo shkolla. Po ashtu siç është detyrim që Tirana të jetë më e bukur, më e mirë. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, është zemra e vendit tonë”.
Më herët kandidatët për anëtarë të Këshillit bashkiak të Tiranës kanë zhvilluar takime të ndryshme me biznese dhe banorë të zonës së Selitës në Njësinë nr. 5 në Tiranë. Në këto bashkëbisedime qytetarët dhe bizneset i kanë njohur anëtarët për këshilltarë me problematikat që i shqetësojnë ato. Kandidati për anëtar i Këshillit Bashkiak, njëherazi kryetar iu Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, u shpreh se këshilltarët do të jenë zëri i çdo qytetari në bashki për çdo problem që ata do kenë. Ai tha se arsimi profesional do të jetë në qendër të vëmendjes.