Ermonela Jaho apo të famshmit për asgjë?
Roland Qafoku
E lindur, rritur dhe e arsimuar në Shqipëri, ajo sapo është shpallur “Artistja e vitit” si soprano për “International Classical Music Award”. Këndon në skenat më prestigjoze të botës dhe është një arstiste self made. Së fundi shkëlqeu në Metropolitan Opera në New York duke marrë vlerësime si askush tjetër aty. Ermonela Jaho është e kundërta e VIP-ave dhe të famshmëve shqiptarë që po krijojnë vlerë tallavaje dhe PR të rremë duke helmuar rininë.
Kjo dukuri në Shqipëri po ndodh jo vetëm në art, por edhe në media. Të parët nuk bëjnë art por vulgaritet dhe të dytën shtiren se po bëjnë media por janë zhytur në një llum të një stili edhe më të keq. Madje, ka nga ata që akuzojnë të parët, ndërkohë që mbështesin të dytët. Jemi mes dy botëve. Secili pëlqen të zgjedh atë që dëshiron: Ermonela Jaho që numëron çdo ditë pikat e djersës dhe talentin e perfeksionon me punë dhe ndershmëri, apo të famshmit për asgjë që njihen për antivlerat, vulgaritetin, dhunën dhe mashtrimin por që vlerësohen nga amoralët vetëm pse dalin në televizor. Shoqëria jonë është vërtetë në udhëkryq.