Ervin Hoxha merr detyrën si ministër i Brendshëm: Reformim gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë
Zv/kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi Ministrin e ri të Brendshëm, Ervin Hoxha, në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku morën pjesë zyrtarë e titullarë të institucioneve të varësisë.
Hoxha tha se një pjesë e konsiderueshme e karrierës së tij lidhet ngushtësisht me detyra në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fillimisht si punonjës, drejtues e tashmë titullar, çka rrit ndjenjën e përgjegjësisë për këtë detyrë.
Ai listoi shkurtimisht disa prioritete si Ministër i Brendshëm, duke nisur nga reformimi gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit, zhvillimin teknologjik për të parandaluar ngjarjet kriminale e rritur sigurinë publike, apo përmirësimin e sjelljes dhe etikën e trupës policore në raport me qytetarët.
“Ligji i ri Policisë së Shtetit do na mundësojë realizimin e një reforme të thellë në një ristrukturim dhe efikasitet për shërbimet e policisë, në kontrollin e territorit”,-theksoi ministri Hoxha. Duke e konsideruar udhërrëfyes, dosjen e dorëzimit të detyrës nga Ministri paraardhës, ai shprehu gjithë angazhimin personal e profesional në detyrën e re.