Ervin Hoxha vetë në krye të aksionit: Askush nuk është mbi ligjin, çdo hapësirë e zënë do t’i kthehet qytetarëve

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka qenë vetë në krye të operacionit të nisur sot në Tiranë, që synon çlirimin e hapësirave publike nga ndërhyrjet abuzive dhe kthimin e tyre në funksion të qytetarëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri ka njoftuar fillimin e një fushate të gjerë kombëtare, që synon rivendosjen e rendit urban dhe garantimin e të drejtës së qytetarëve për akses të lirë në hapësirat e përbashkëta.

Në terren janë angazhuar struktura të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), të cilat kanë nisur një aksion të përbashkët në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit: Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, hapësirat pas Muzeut Historik Kombëtar dhe një kompleks në afërsi të zonës “21 Dhjetori”.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ky është vetëm një hap i parë në një fushatë të shtrirë në të gjithë vendin, për t’u rikthyer qytetarëve trotuaret, sheshet dhe hapësirat publike që u përkasin me të drejtë,” – është shprehur Hoxha, duke theksuar me vendosmëri se askush nuk është mbi ligjin, dhe se asnjë subjekt nuk mund të pushtojë hapësirat e përbashkëta në dëm të komunitetit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministri ka vlerësuar reagimin pozitiv të disa subjekteve, të cilat kanë ndërmarrë çmontimin vullnetar të strukturave pa leje, duke e konsideruar këtë si një hap të përgjegjshëm dhe në frymën e bashkëpunimit me autoritetet.

Ai ka drejtuar një apel të qartë për të gjithë subjektet që ndodhen në shkelje të ligjit, që të lirojnë hapësirat publike pa ndërhyrje të detyruar, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe më të aksesueshëm për të gjithë.

“Ky aksion nuk është vetëm një ndërhyrje fizike, por një angazhim ndaj qytetarisë dhe drejtësisë urbane. Hapësira publike nuk është pronë private. Ajo është e çdo fëmije që luan, e çdo të moshuari që ecën, e çdo qytetari që kërkon dinjitet dhe rregull në jetën e përditshme,” – është shprehur më tej ministri.

Fushata do të vijojë me intensitet në ditët në vijim edhe në qytete të tjera të vendit, në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të rivendosur ligjshmërinë dhe për të forcuar marrëdhënien e shtetit me qytetarin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?