Escobar flet për median greke: E trishtueshme kjo që po ndodh në PD
I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka quajtur “të trishtë” situatën në të cilën është përfshirë së fundmi Partia Demokratike.
Në një intervistë për median greke To Vima, Escobar, pasi ka renditur shqetësimet në Ballkan, është ndalur në konfliktet brenda PD-së, për të cilën tha se nuk duhet të ishte përfshirë në një përçarje të tillë.
Escobar thotë se PD-ja, por edhe populli shqiptar duhet të refuzojnë të shkuarën, në mënyrë që të mos rikthehen “ditët e këqija”.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD-në. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që ndodh me PD-në aktualisht.
Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, ka thënë Escobar.