Escobar mohoi takimin këtë javë, Kurti: Nesër do të jem në Bruksel
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar konfirmoi gjatë një interviste për ”Zërin e Amerikës”, se takimi urgjent i thirrur nga BE mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiç, për uljen e tensioneve nuk do të mbahet këtë javë.
Por këtë pasdite kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se të nesërmen do të udhëtojë në Bruksel. Kurti bën me dije se do të marrë pjesë në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell.
Më herët, kreu i qeverisë së Kosovës deklaroi se e kushtëzon pjesëmarrjen në takimin e Brukselit pasi të informohet për gjendjen e 3 policëve të rrëmbyer nga forcat speciale të Serbisë.
“Përcaktoj itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Borrell. Do të insistoj për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”,-shkruan Kurti në Twitter.
Set my itinerary to go to Brussels from Rome tomorrow, confirming my participation in the high-level dialogue meeting convened by HR/VP Borrell. Will insist on the urgent unconditional release of the 3 policemen held hostage by Serbia, de-escalation & normalization of relations.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 21, 2023