Është e rrezikuar Shqipëria nga agresioni rus? Ministri i Mbrojtjes: Duhet të ruhemi nga provokimet

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, teksa flet për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, thotë se NATO është forca më e madhe ushtarake në botë, por e rëndësishme është që situata të mos shkojë deri te përplasja ushtarake. Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga një konflikt i gjerë i mundshëm?

”Një centimetër katror i prekur i Shqipërisë është një centimetër katror i prekur i NATO-s dhe në bazë të artikullit 5 të traktatit, NATO-ja vepron për mbrojtje kolektive sikur të ishte cenuar edhe vendi më i madh, më kryesor i kësaj aleance.

Duhet thënë se ne jemi në një rajon delikat, në Ballkanin Perëndimor që përbëhet nga 6 shtete, të cilat janë në mesin e integrimit të tyre euroatlantik. Sa i përket stabilitetit politik, Ballkani Perëndimor është i cënueshëm. Kjo situatë mund të kalojë në destabilitet politik në këto vende. Shqipëria ka stabilitet ushtarak për shkak të Aleancës dhe të gjithë kontributit tonë në të.

Duhet të ruhemi nga llogaritë e gabuara dhe nga provokimet. Duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, sidomos në Kosovë, edhe ne në mbështetje të tyre, për të mos rënë pre e provokimeve.

Po ashtu nuk duhet të biem pre edhe nga sulmet kibernetike. Për këtë arsye, ne në sistemet tona ushtarake kemi rritur nivelin e mbrojtjes dhe vigjilencës kibernetike këto ditë”,-tha për ”A2cnn”

SHKARKO APP