Esmeralda Qirko: Programi i LSI-së, sipas interesave të qytetarëve dhe biznesit

Esmeralda Qirko, kandidate për deputete e LSI në Berat shprehet se Rilindja ka dështuar në Berat, nuk i ka mbajtur premtimet. “Premtoi punësim, por solli largimin masiv të të rinjve në emigracion. Premtoi rritje të mirëqënies por i varfëroi më shumë qytetarët. Po emigrojnë të rinjtë”,- thotë Qirko.

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Esmeralda Qirko shprehet se si përfaqësuese e biznesit në Berat, i besoj programit të LSI.

Zonja Qirko, cila është sot situata në Berat? Sa u mbajtën premtimet e qeverisë së Rilindjes në 8 vjet qeverisje?

Rilindja ka dështuar në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë. Ajo nuk i ka mbajtur premtimet. Premtoi punësim, por solli largimin masiv të të rinjve në emigracion. Premtoi rritje të mirëqënies por i varfëroi më shumë qytetarët. Premtoi përmirësim të kushteve të jetesës, ndërkohë që ja u ka bërë jetën më të vështirë njerëzve. Rilindja e vrau shpresën. Po largohen të rinjtë. Qytetet dhe fshatrat po braktisen. Kostoja e jetesës është rritur pamasë. Rilindja dështoi dhe prandaj duhet larguar.

Çfarë besojnë socialistët për Rilindjen?

Socialistët ndihen të zhgënjyer. Socialistët janë të tradhëtuar. Socialistët, të cilët nuk e kanë braktisur PS prej vitesh, në të mirë e në të keq, sot e ndjejnë veten të lenë në harresë, të pakënaqur dhe të zemëruar. Ata janë sot te papërfaqësuar nga rilindja. Njësoj e vuajnë papunësinë. Njësoj e vuajnë varfërine në rritje. Njësoj e vuajnë largimin e fëmijëve nga ngrohtësia e shtëpisë. Është kjo arsye se pse Rilindja do të ndëshkohet me votë në rradhë të parë nga socialistët e ndershëm, të cilët çdo ditë e më shumë po e gjejnë veten te LSI.

Rilindja bëri shumë propagandë për kalimin e Nasip Naços në këtë parti. Sa e besojnë votuesit?

Rilindja ndodhet në një situatë të dëshpëruar. Veprimet e saj në Berat janë në kushtet e panikut, nga rritja përditë e LSI. Në kushtet e një çoroditje të thellë për shkak të mashtrimeve dhe varfërimit që i ka bërë Beratit, detyrohet të gëlltise ato që vete ka thënë në momente të caktuara. Ata që LSI i ka nxjerrë prej kohësh nga vetja e saj, i trumbetojnë si blerje të mëdha. Mjerë për Rilindjen ku përfundoi dhe keqardhje për socialistët e thjeshtë se nga çfarë niveli detyrohen të përfaqësohen. Për ne si LSI nuk ka asnjë gjë të papritur, dhe nuk na shpërqëndron asnjë gjë nga misioni ynë për ta bërë Beratin shtëpinë tonë. LSI do të marrë 3 mandate në Berat.

Cili është motivi juaj, si kanditate e LSI në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit?

Unë nuk kam qenë më parë e përfshirë në strukturat e asnjë partie, por duke përfaqësuar biznesin e ndershëm, që përballet me sfida të mëdha sot dhe në të ardhmen, vendosa të mos qëndroj indiferente por me eksperiencën time të kontribuoj në rimëkëmbjen dhe përmirësimin e ekonomisë së vendit. Lidhur me këtë unë pashë që programi i LSI, përputhet me idetë dhe pritshmëritë e mia. E gjej shumë mirë veten tek ekipi i LSI, tek programi i saj, dhe tek roli i padiskutueshëm që LSI ka luajtur e do të luajë në parlament dhe në qeverisjen e vendit. Unë do të përfaqësoj e do të adresoj problematikat e biznesit të ndershëm, e sidomos edhe të biznesit fason i cili po kalon momente shumë të vështirë këto kohë, ndërkohë që punëson me mijëra familje në Berat dhe mbi 100 mijë në të gjithë Shqipërinë.

A ka raste kur pushtetarët vendorë dhe qendrorë ushtrojnë presione ndaj nënpunësve për tÇi detyruar ata të deklarojnë qysh tani se do votojnë Rilindjen në 25 prill?

Patjetër që ka, dhe jo vetëm kaq, por ju kërkohet që këta duhet të deklarojnë një numër të caktuar të familjarëve apo të afërmve të tyre që të votojnë për Rilindjen, duke u bërë presion e duke u marrë edhe numrat e ID. Janë përpjekje të dëshpëruara. Asnjë gjë nuk e ndal humbjen e Rilindjes në 25 prill. Goditjen më të madhe do ta marrin pikërisht nga administrata publike, për shkak se e drejtojnë në mënyrë jo profesionale dhe partiake, duke iu kthyer në të kundërt çdo përpjekje. Rilindja do votohet masivisht kundër nga familjet e thjeshta, të rinjtë e të rejat, të cilët sot nuk shohin asnjë të ardhme me këtë qeveri.

A janë bërë punësime në drejtorinë rajonale dhe bashki tani në prag të fushatës elektorale?

Më vjen shumë keq të pranojë, që Bashkia Berat në kohë pandemie i ka rritur taksat deri dyfish. Ndërkohë që biznesi është në kushte mbijetese, rritja e taksave nga ana e bashkisë i ka shtuar kostot e biznesit, çka ka sjellë humbje të vendeve të punës. Kjo është e vërteta e dhimbshme, ndërkohë që në këtë situatë duhet të kishim tjetër qasje ndaj biznesit.

Pse elektorati i majtë i beson LSI?

Sipas meje, ky elektorat shikon tek LSI, forcën për të sjellë ndryshimin dhe për të ecur përpara. LSI është një forcë e Majtë që nuk i ka tradhëtuar qytetarët. Është përditë me ta. Elektorati i majtë e gjen veten te LSI sepse ajo kujdeset për njerëzit. LSI kujdeset për njerëzit e thjeshtë, ndërkohë që Rilindja i ka braktisur me kohë ata. LSI është forcë në rritje, gjithnjë e më shumë përcaktuese, prandaj dhe është gjithmonë në qendër të sulmeve. Por pavarësisht kësaj ajo gjithmonë ja ka dalë dhe do tja dalë edhe këtë herë.

Cili është programi i LSI për Beratin?

LSI historikisht ka patur një lidhje të veçantë me Beratin, që ka ardhur duke u forcuar ndaj dhe ka pasur gjithmonë vëmendjen e LSI. Programi i LSI, për Beratin është ta kthejë atë në qendër të zhvillimit. LSI do të përmirësojë ekonominë nëpërmjet hapjeve të vendeve të reja të punës. Do të mbështesë turizmin dhe trashëgimin kulturore. Do të mbështesë fermerin dhe blegtorin. LSI në qeverisje do të thithë investime të huaja të cilat do t’i lokalizojë në Qarkun e Beratit. Do të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe do të orientojë edukimin profesional të të rinjve në funksion të prioriteteve të zhvillimit. LSI do të kthejë shpresën dhe besimin. LSI do të punojë fort që ta bëjë Beratin shtëpinë e të të rinjve, të rejave, e të gjithë atyre që duan të punojnë e të ndërtojnë jetën e tyre në vendin tonë.

SHKARKO APP