Eurodeputetët: Dialogu politik të bëhet në Kuvend, opozita fund bojkotit

Dy eurodeputetët, Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein, të cilët negociuan me partitë politike shqiptarë për të arritur një marrëveshje që opozita të hyjë në parlament, në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Kukan theksojnë se është përgjegjësia e të dyja palëve që dialogu politik të bëhet në Kuvend.

Në deklaratën e përbashkët, Fleckenstein dhe Kukan kanë shprehur gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, duke e vënë theksin te mbështetja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës.

Drafti që propozohet nga negociotarët evropianë përmban 4 pika:

Pika e parë është një propozim që ka të bëjë me mospërdorimin e shumicës së cilësuar nga mazhoranca për çështje të rëndësishme.

“Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”, thuhet në draft/marrëveshje.

Pika e dytë ka të bëjë me gatishmërinë për respektimin e shtetit ligjor. “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të angazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pika e tretë është ajo më delikatja dhe që opozita e ka kërkuar me forcë këto muaj bojkoti, atë që e quan dekriminalizim të Parlamentit.

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

Pika e katërt ka të bëjë me rolin e Parlamentit në këtë marrëveshje, kur thuhet se, “përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Evropian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Evropiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.

Në deklaratën e përbashkët, eurodeputetët theksojnë se është përgjegjësi e të dyja palëve që të krijojnë kushte për të patur një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv, për të plotësuar ambiciet e shqiptarëve për integrimin evropian të vendit.

“Ne sigurojmë partnerët tanë politike në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve tona politike në procesin e integrimit evropian. Gjatë ditëve të fundit ne e kemi demonstruar këtë mbështetje duke u angazhuar në rinovimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës në pushtet dhe duke inkurajuar opozitën për t’i dhënë fund bojkotit të parlamentit. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik midis mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të plotësojnë ambiciet evropiane të qytetarëve të saj. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve për të krijuar kushte dhe të sigurojnë që dialogu i tillë i partisë kryq është duke u zhvilluar kryesisht në parlament.”- thuhet në deklaratën e përbashkët të eurodeputetëve.

 

 

 

 

SHKARKO APP