Europiani dhe plazhi ”shtyn” prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet në 2025, PD e Bashës tregon programin

Demokratët e Lulzim Bashës 11 ditë përpara se Gjykata të flasë se kujt i takon vula e partisë, do të luajë gurin e parë për zgjedhjet parlamentare të 2025, pa pjesën tjetër të demokratëve. “Përmbyllja e këtij programi është një premtim i mbajtur i PD, duke qenë risi në ato që ne kemi sjellë”, thotë Arbi Agalliu, sekretari për Programin në PD-në e Bashës, ku tregon platformën me të cilën do të kërkohet vota.

“Nuk lë jashtë vëmendjes asnjë shtresë të shoqërisë, ka në fokus rikthimin e jetës në normalitet, i jep hapësirë individëve, sipërmarrësve, fermerëve, shtresave në nevojë. Nuk ka lëvizje nga Boshti i PD, që është tregu i lirë, barrë fiskale e ulët, mbrojtja e pronarit, por nuk kemi lënë jashtë vëmendjes shëndetësinë me 1001 probleme apo arsimin e të rinjtë që janë një plagë e Shqipërisë.

Nuk lëvizim nga ajo që kemi bindje: duke besuar që paratë më mirë i menaxhon privati, duke i dhënë kapital në qarkullim konsumatorit, një nga elementët që i jep frymë, është që paraja të qëndrojë atje, jo që shteti t’i marrë frymën tregut. Është konsultuar me ekspertët e CDU”, shprehet Agalliu.

Pas prezantimit, ekipet e Bashës do të nisin një tur me shpresën se programi elektoral do të ngjisë tek populli. Teksa me 1 Qershor prezantohet programi, kandidatët do të vijojnë të jenë premtimi i pa-mbajtur i Bashës, pasi ata do të mbeten enigmë të paktën deri në shtator.

SHKARKO APP