Putini fiton rreth 70% të votave
Në Rusi u mbajtën zgjedhjet presidenciale ku Vladimir Putin fitoi edhe një mandat. Por njoftohet për parregullësi dhe manipulime të shumta.
Në prognozat e para, të bëra publike menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, thuhet se Vladimir Putin ka fituar rreth 70 % të votave, në zgjedhjet presidenciale në Rusi. Por shumë vëzhgues thonë se në zgjedhje ka pasur parregullësi të shumta, në shumë rajone.
Rrjeti kompjuterik i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi është përballur në ditën e zgjedhjeve presidenciale me sulme nga të paktën 15 vende të ndryshme. Kështu u shpreh kryetari i Komisionit Ella Pamfilov në Moskë. Serverët tanë janë vërshuar nga sulme të shumta. “Sulmet kanë ardhur nga 15 vende të ndryshme”, tha Pamfilov. Burimet ruse thonë se janë sulmuar edhe mediat ruse dhe jo vetëm Komisioni.
Presione dhe manipulime
Opozita ruse dhe organizatat joqeveritare
pohojnë se gjatë votimeve janë vërejtur parregullësi të shumta, presione dhe manipulime. OJQ Golos ka njoftuar deri në mesditë për 1800 parregullësi. Në veçanti shqetësuese janë sipas Golos informacionet për presione ndaj studentëve në universitete. Gazeta liberale “Novaja Gaseta” njofton se studentët në shumë qytete janë kërcënuar se do të kenë probleme me provime në qoftë se nuk dalin në zgjedhje. Presione ka pasur edhe në sipërmarrjet e shtetit.
Vëzhguesit e Navalnit
Mbështetësit e kritikut ndaj Kremlinit, Alexej Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, kanë dërguar në vendvotime rreth 33.000 vëzhgues. Ata raportojnë për shumë parregullësi, në veçanti në Moskë dhe afërsi të Shën Petersburgut si dhe në Ural. Simpatizantët e Navalnit kanë botuar edhe video në internet me të cilat dëshmojnë parregullësitë.
Burimet ruse njoftojnë se në këto zgjedhje janë vëzhguar nga rreth 1300 vëzhgues të huaj. Vetëm OSBE ka dërguar atje rreth 600 vëzhgues. OSBE do të paraqesë rezultatet e vëzhgimit të hënën.
Më shumë se 107 milionë zgjedhës në Rusi janë ft
uar të votojnë presidentin e ri. Në të gjitha sondazhet thuhej se Vladimir Putin do të fitojë edhe një mandat të ri, që ia siguroi atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2024. Shtatë kundërshtarët e Putinit në këto zgjedhje nuk kishin kurfarë shansi për fitore. Navalni konsiderohehej si kundërshtari i vetëm serioz, por ai nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhje./dw/
Zgjedhjet sipas BBC
Ndërsa rezultati i zgjedhjeve presidenciale të Rusisë mund të duket i mbyllur, ende ka shumë për të diskutuar për të mbajtur vëzhguesit të intriguar.
Këtu janë pesë pika kyçe për votimin që mbahet sot në Rusi:
Pjesëmarrja është çelësi
Vetëm pak persona mund të dyshojnë se Vladimir Putin nuk do të marrë një mandat të katërt me shumicë të madhe. Por, fokusi është tek pjesëmarrja.
Sondazhet zyrtare njoftojnë se mbështetja për presidentin është rreth 70%.
Kremlini duket se po përpiqet të ndryshojë perceptimin që kanë votuesit, se fituesi pritet, pasi duhet të rritet legjitimiteti i rezultatit, veçanërisht për jashtë vendit.

(Rusët në rradhë për të votuar)
Në të kundërt, kritiku më i njohur i Kremlinit, Aleksei Navalny, ka bërë thirrje për një ‘grevë votimi’.
Numri i madh i kandidatëve, tetë, nga tre që ishin në vitin 2012, është parë si pjesë e përpjekjeve për rritjen e pjesëmarrjes në votime.
Rusët po bombardohen me reklama, që nga çantat e supermarketeve në restorante, transport publik dhe kinema, për të votuar. (përktheu lapsi.al)
Ka pasur raportime se votuesve i dërgohen mesazhe, aktivistët shkojnë derë më derë, si dhe ka fushata nga korporatat e mëdha shtetërore që të dërgojnë punonjësit e tyre për të votuar.
“Cirku”
Shumë vëzhgues dyshojnë se shtatë kandidatët me të cilët po përballet Putini nuk ofrojnë asnjë sfidë të vërtetë për Presidentin.
Qëllimi i Kremlinit mendohet të jetë krijimi i një shfaqjeje, ku duket se gara është e gjallë mes kandidatëve, për të rritur pjesëmarrjen e votuesve, por pa asnjë kërcënim për fuqinë e Putinit.
Liberalja Ksenia Sobchak ka të ngjarë të ketë vënë në lëvizje elektoratin me kundërshtimin e saj të hapur për aneksimin e Krimesë.
Mendohet se kjo qasje ndryshon imazhin e saj, të parë edhe si të rrezikuar, falë gjinisë së saj në një vend konservator si Rusia.
Kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin ka shmangur kritikat ndaj Putinit, ndërsa është përballur me sulme të pamëshirshme nga mediat shtetërore lidhur me marrëdhëniet e tij me bizneset.
Politikani veteran, Vladimir Zhirinovsky, i njohur për retorikën e tij agresive nacionaliste, është parë nga shumë njerëz si një figurë argëtimi.
Debatet zgjedhore shpesh kanë degraduar, ndërsa Putin ka qëndruar larg trazirave, dhe nuk është përfshirë në debate.
Në një debat, Zhirinovsky fyeu ashpër liberalen Sobchak, ndërsa kjo e fundit i hodhi një gotë me ujë.

(Ujë në fytyrën e Vladimir Zhirinovsky në debat televiziv)
Mos harroni Krimenë
Imazhi që rrethon këto zgjedhje është ai i Presidentit Putin, si shpëtimtar dhe bashkues i Rusisë. Ai është njeriu që mbron vendin nga një rrethim armiqësor i Perëndimit.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj është aneksimi i Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, e cila që atëherë është përdorur nga Kremlini si pjesë e përpjekjeve për të mobilizuar rusët, duke përdorur më pas nacionalizmin.
Një film i shkurtër mbi kapjen e gadishullit u shfaq në prag të zgjedhjeve për publikun, dhe ligji u ndryshua për të zhvendosur datën e zgjedhjeve në 18 mars, përvjetorin e katërt të aneksimit të Krimesë.

(Pushtimi i Krimesë)
Një raportim i favorshëm për Vladimir Putinin ka dominuar programet e lajmeve në televizionin shtetëror të kontrolluar nga shteti, burim i madh i informacionit për rusët, pavarësisht rregullave elektorale që kërkojnë paanësi strikte midis kandidatëve.
Zyrtarët e televizionit shtetëror këmbëngulin se ata po mbulojnë vetëm aktivitetet e Putin si President, por përshtypja e përgjithshme është ajo e një heroi kombëtar që i zhduk kandidatët e tjerë dhe grindjet e tyre.
Kush nuk merr pjesë
Figura kryesore e opozitës ruse, Aleksei Navalny, është ndaluar të kandidojë falë një dënimi për mashtrim, për të cilin ai pretendon se është i motivuar politiksht.
Tema e tij e preferuar, korrupsioni i nivelit të lartë, i prek rusët, dhe stili i tij i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i ngre lehtë njerëzit në masë në protesta, në një mënyrë që opozita liberale e Rusisë nuk mundet.
Vitin e kaluar, hetimi që ai bëri ndaj kryeministrit rus dhe besnikut të Putinit, Dimitri Medvedev, u pa nga miliona njerëz në internet, dhe nxiti protestat e para masive anti-qeveritare të Rusisë në vite. (përktheu lapsi.al)
Navalny është përballur me sulme nga pro-qeveritarët e njohur. Kujtojmë këtu se ai u sulmua me bojë të gjelbër toksike që gati i kushtoi atij shikimin në syrin e djathtë.

(‘Opozitari i vërtetë’ Aleksei Navalny pas sulmit me bojë ku rrezikoi shikimin në syrin e djathtë)
Televizioni shtetëror nuk mbulon aktivitetet e Aleksei Navalnyt, ndërsa Vladimir Putin refuzon t’a përmendë atë me emër. Putin e cilëson Navalnyn si një front të ngritur dhe financuar nga Perëndimi për të destabilizuar dhe dobësuar Rusinë.
Të rinjtë të parët
Kremlini i ka kushtuar votuesve të rinj më shumë vëmendje këtë vit, pasi është frikësuar se shumica e votuesve nga 18 deri 30 vjeç janë të pakënaqur me sistemin politik dhe prespektivat e dobëta ekonomike.
Është raportuar se një pjesë e madhe e njerëzve që u shfaqën në protestat e Navalnyt vitin e kaluar kundër korrupsionit, janë nxënës dhe studentë.
Në prag të votimit, Putin mori pjesë në disa tubime zgjedhore me të rinjtë, duke theksuar se Rusia ofron prespektivë në karrierë, veçanërisht në shkencë dhe industri.
Votuesit e rinj gjithashtu janë në vënë në fokus të fushatave të ndryshme të mediave sociale, duke përfshirë një në të cilën yjet e famshëm shoqërojnë postimet e tyre në Instagram me hashtagun #ElectionIsWhereYouAre.(përktheu lapsi.al / Zgjedhjet janë aty ku je ti)

(Të rinjtë rusë në protesta)
Origjina e kësaj fushate mbetet e paqartë, por dyshohet se Kremlini ose aleatët e saj kanë dorë në të.
Ka pasur gjithashtu një video humoristike dhe deri diku homofobike, që u bë virale, e cila nxit njerëzit të dalin nga shtrati dhe të votojnë, që të mos vijë në pushtet një president i cili e bën të detyrueshme që rusët të mirëpresin homoseksualët.
BBC, përshtati në shqip
KOHA JONË SONDAZH




