Fati “rrëqethës” i Dritan Lelit

Nga Agron Gjekmarkaj

Dritan Leli, kryetari i Bash kisë së Vlorës, së dyti i emëruar jo me zgjedhje, po kalon ditë të trazuara plot dallgë, nga ato që rrahin në Karaburun. Thonë se vite më parë ishte mjek (ndoshta jo i keq), por Koçua asokohe, eminenca gri e “Atit” të Rilindjes, futi duart në anonimitet dhe e zgjodhi për të qeverisur qytetin e Flamurit.

Të përzgjedhësh në anonimitet tashmë nuk është faj, por traditë e politikës dhe kjo dihet pse! Për ta pasur ushtar e qehaja në çdo vakt e cep të nevojës, dëshirës e hallit. Koçua dhe “Ati” i Rilindjes një ditë u zunë në lartësinë e mendimeve të mëdha dhe i pari e hëngri, iku nga politika!

Leli pa u ndjerë shkoi pas “Atit” dhe jo “bamirësit” të tradhtuar tri herë para se gjeli të këndonte, se kështu e lypin këto punë! Sapo kaloi mjegullën, mori emërimin e dytë dhe si nxënës i dalluar e i zellshëm dëgjonte vizionet e liderit ndanë lungomares se si Vlora do dilte në Selamet, buzëqeshte ëmbël e pa tepri, por me përunjësi të admirueshme duke cimbisur mjekrën herë pas here nga hareja!

Ec e ec ditët kalonin dhe Lelua, i cili nuk e tepronte me fjalë dhe nuk rëndej shumë në media me gjuhë tipike propagande, diku u zu me Damo qerratanë dhe Damua tha “o ay, o unë”!

Se Damua inatin e ka zjarr! Djemtë plëngprishës e vunë në vështirësi “Atin”, e lanë nja dy ditë pa gjumë dha e mori t’i pajtonte, po Damua kockë e fortë se të tillë e kishte bërë historia e këtyre tetë vite jallinë, por të bereqetshme dhe këmbëngulte “o unë, o Lelo jeziti!”.

“Ati”, me bujarinë që e karakterizon, me shpirtin det dhe mendjen qiqër dha verdiktin: Lelua tha të shporret nga Bashkia dhe të bëhet deputet i bindur që Dritani do t’i puthte këmbët për këtë ylyfe të re dhe do t’i falej ymrit të tij. Ndodhi hataja! Lelua u bë me trim se Zigur Leli dhe nuk e pranoi për qamet ofertën!!

Damua i hakërryer mbet si daci në govixh dhe i zukaste shefit, “s’kam hallin tim se çfarë jam unë, një hu, një gdhë, një hiç, por në duart e tu flori bëhem, por tëndin se të prishi gjederin lamashi”! “Ati” nuk u besonte lajmësve, i zbonte një nga një derisa në portë të përzhitura nga dhimbja që po e derdhnin në Surrel u shfaqen Mamica dhe Kumbarushja!

Ato thjesht qanin, nduknin flokët, çirrnin faqet dhe lëshonin vikama që me ta këputë shpirtin!! Në Surrel zija e vaji eklipsuan diellin. Në fund, Mamica, përmes gugatjeve, foli: “Ai i mallkuari që e kaloftë jetën në ferr e hapsana, ka guxuar të thyejë zemrën tënde të dëlirtë e plot mirësi”! Suspansë, heshtje, tmerr o Zot! Kumbarushja, e pasigurt në duhej të yshtej më tej, belbëzoi:

“Imzot, bëje shembull, gjykimi yt raftë si rrufe mbi të paudhin dhe dritë u bëftë për njerëzimin, Vlorën dhe ne mëkatarët”!! “Ati” nuk foli asnjë fjalë, por me solemnitet tragjik u ktheu shpinën pëllumbeshave lajmëtare që gjithmonë i sillnin jehe gëzimi, por kësaj here jo!!! Shtrëngatë e moqavë filloi të binte mbi supet e brishta të Lelit të ngratë. E përjashtuan nga partia pa çak, pa bam! “Të vdekurit e bashkisë”, tha lideri e kaq mjaftoi që fletërrufetë të binin mbi të si breshër.

Garë e madhe për t’i treguar shefit dashuri e besnikëri! Fatja nxori penelin dhe boja vuuu! Një tjetër deputete e Vlorës e mallkoi me kuç e maç. Por Lelua është futur në qoshe të ringut dhe ha grushte nga të gjitha anët, por ende në nivel lokal.

Të gjithë duan t’i tregojnë “Atit” teksa ai bën sehir me avashllëk sesi e bluajnë armikun që i theu xhanin, xhan e çfarë xhani ku rri pritmi i vatanit! Ditën kur të dalë Elisa ngarkuar me zymtësi, brymë e thithëtimë, do jetë gjyqi i fundit për Dritan Lelin! E pret shkarkimi, ndonjë hetim nga SPAK, ndonjë arrestim si Fullanin kushedi!

Ditë të këqija priten. Lelua nuk duhet të bëjë gabimin e Ditëziut që nuk kërkoi falje e tani ha thonjtë me dhëmbë rrugëve, me letër të redaktuar nga Kumbarushja, por të bëjë atë dhe valixhet bashkë me zahiretë që ka vënë mënjanë me këmbëngulje milingone dhe të ikë larg sa më larg në pendesë e rrëqethje të merituar se ka refuzuar dëshirën e Baba Dovletit që sytë i plaçin!! Shqipëria moderne i përbuz gabime të tilla!

SHKARKO APP