Fatmir Mediu kërkon opozitë të bashkuar: Të plotësojmë ëndrrën e shqiptarëve për një shtet funksional
Tensionet në Parlament apo protestat para Bashkisë tregojnë që mes dy kaheve të politikës ka përplasje të vazhdueshme jo vetëm parimore. Izolimi i Sali Berishës duket se ka dobësuar opozitën shqiptare dhe funksionimin e saj. Megjithëse përpjekjet për një opozitë të bashkuar e gatshme për zgjedhjet parlamentare 2024 janë të vazhdueshme. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha se dobësimi i opozitës krijon kosto shumë të mëdha për shoqërinë shqiptare.
”Të gjitha proceset zgjedhore kanë provuar që kur opozita shkon e ndarë edhe për shkak të sistemit zgjedhor edhe për shkak të mënyrës se si bëhet politika në Shqipëri, për shkak të korrupsionit, të krimit të organizuar, influencës së krimit, kontrollit të procesit nga grupet kriminale, dhe blerjes së votave, një opozitë e përçarë pa dyshim që krijon kosto shumë të mëdha”,-tha Mediu në ”Tv Klan”.
Ndër të tjera ai shtoi se ëndrra për një opozitë të madhe dhe të bashkuar e cila mund të jetë e gatshme të fitojë në zgjedhje dhe të qeverisë vendin është e madhe. Po nga ana tjetër, ai tha se kjo ëndërr i përket edhe shqiptarëve pasi vetëm me një qeverisje të re mund të arrihet krijimi i një shteti funksional për taksapaguesit shqiptarë.
”Po prodhojmë shumë kryeministra nga opozita pa dyshim që dëshira për të plotësuar ëndrrat është gjë e madhe, por unë mendoj se ëndrra që të plotësosh një dëshirë politike të opozitës është ëndrra e shqiptarëve për të patur një shtet funksional më tepër se sa thjesht ambiciet personale që ndonjëherë shkojnë në një lloj egoizmi që vetëm ndan dhe përçan dhe besoj se kjo është evidente”,-shtoi më tej Mediu.
Për kreun e PR-së, tashmë opozita ka krijuar një federatë të re, e cila do u japë mundësi gjithë të rinjve nga çdo skaj i Shqipërisë dhe diasporës që të angazhohen dhe të jenë krah opozitës me idetë dhe iniciativat e tyre.
”Të nxjerrim në garë të rinj e të reja, figura me kualitet të cilat konkurrojnë për Parlamentin dhe për qeverinë dhe unë besoj se nëse ne e konsiderojmë siç duhet problemet që kemi me sistemin zgjedhor duhet me patjetër të shikojmë jo se si krijojmë një parti për të marrë dy deputetë. Opozita nuk mund të kantadiset në interesat egocentriste të disa individëve që u duket vetja më të mëdhenj, si ai që çohet në mëngjes dhe thonë, “unë jam kryeministër nesër” dhe kjo zgjat me dekada të tëra në kurriz të shqiptarëve. Për me tepër unë mendoj se opozita ka një detyrë shumë të madhe për t’i dhënë një frymë tjetër shoqërisë shqiptare”.