Fatmir Mediu: S’ka zgjedhje të lira me Ramën, Basha duhet të insistojë tek qeveria kujdestare
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shprehet se kërkesat kryesore të opozitës janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar një regjim antikushtetues. Në një intervistë për televizionin “Scan”, Mediu ka theksuar se qeveria tranzitore është një kusht i panegociueshëm, dhe bashkë me partitë e vogla opozitare ka propozuar gjithashtu lista të hapura, duke nënvizuar propozimin e tij se Basha nuk duhet tërhiqet nga kërkesa për qeveri kujdestare. “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Ramën kryeministër, ndaj një qeveri kujdestare është e domosdoshme dhe Basha nuk duhet të heqë dorë nga kjo” është shprehur Mediu.
Lidhur me Partinë Demokratike dhe reformën e derimëtanishme zgjedhore, Mediu ka theksuar se PD është boshti kryesor opozitar. “Lulzim Basha është lideri kryesor i opozitës dhe mbështetja është e dyanshme. Identifikimi biometrik është një arritje e mirë e marrëveshjes deri më tani, por Rama gjithsesi do bëjë çmos që edhe kjo të mos zbatohet. Edi Rama ka pushtet të plotë për të miratuar marrëveshjen për zgjedhoren, është përgjegjësia e tij ta kalojë dakordësinë në parlament, kjo nuk është përgjegjësi e opozitës jashtëparlamentare.”, ka thënë Mediu lidhur me vullnetin e kryeministrit mbi reformën zgjedhore.
Mediu e cilëson si një lojë të pistë kërkesën për ndalimin e koalicioneve. “Moslejimi i koalicioneve parazgjedhore dhe rritja e pragut elektoral në 5% janë lojë e pisët politike nga Rama. I bëj thirrje çdo deputeti të përgjegjshëm në parlament apo njeriu të përgjegjshëm në politikë mos ta lejojë kthimin e këtyre ideve në realitet”, ka përfunduar kreu i Partisë Republikane.