Fatmir Mediu: Zgjedhjet e 25 prillit, jo thjesht politike, por një moment i rëndësishëm në historinë tonë
Kreu i Partisë Republikane zhvilloi një takim me një grup koordinatorësh të PR, në një nga lagjet e Njësisë Nr.4 në Tiranë.
Zgjedhjet e 25 Prillit – theksoi Fatmir Mediu,- nuk janë zgjedhje thjesht politike, por janë një moment i rëndësishëm nē historinë tonë.
Eshtë momenti për një kthesë kombëtare, për të kthyer Shqipërinë në rrugën e Integrimit Europian, i cili do të mundësohet brenda 4 viteve të ardhshme të qeverisjes së djathtë, siç bëmë me NATO-n në 2005.
Shqipëria do të jetë Europiane, sepse programi ynë,- theksoi ai, synon në ndërtimin e një qeverisje kushtetuese, kthimin e Institucioneve në shërbim të njerëzve, luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma të thella ekonomike, jo vetëm në taksën e sheshtë, por dhe reforma rregullatore dhe siguri juridike në mbështetje të biznesit, për të siguruar punësimin e shqiptarëve, reforma në shëndetësi, jo vetëm duke rritur investimet, por dhe arsim, duke i shkëputur nga kontrolli politik.
Financat publike do të përqëndrohen në investimet në infrastrukturë, energji dhe bujqësi.
Opozita do të përfshijë në garën e saj elektorale dhe administrimin qeverisës, njerëz të aftë, të rinj dhe të reja, profesionistë, dhe sidomos krijimin e mundësisë për t’u rikthyer në Shqipëri, në nivelet e larta të vendimmarrjes, të qindra të rinjve dhe të rejave, që kanë mbaruar studimet në Universitetet më të mira, dhe punojnë në Institucione të rëndësishme në Amerikë, Britani, Europë, apo vende të tjera.
Opozita do të ndërtojë një qeverisje të besimit dhe mirëkuptimit, respektit dhe përkushtimit ndaj vendit dhe kombit, duke i dhënë fund mashtrimit, krimit, korrupsionit, arrogancës, fyerjes, sharjes dhe përbuzjes, të cilat dominojnë qeverinë Rama.
Qeveria e të djathtës do të ketë parësor interesin kombëtar, duke i shërbyer interesave shqiptare në Ballkan, në mbështetje të kërkesave dhe vendimmarrjes së Institucioneve qeverisëse dhe politike në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, duke mënjanuar përfundimisht çdo lloj paternalizmi ndaj çështjes kombëtare.