Fatos Hoxha: “Zemërthyerja”?! Berisha fjalën kundër nuk e fal!

Ish-deputeti i PD-së Fatos Hoxha, ka komentuar me ironi përpjekjet e Berishës për t’i konsideruar 1 milion votat e shqiptarëve si “gabim” i tyre duke shtuar se ai është gati të mos i mbetet qejfi.

Ja çfarë shkruan Hoxha në Facebook:

 “Fjalori politik i javës këtë herë nxorri fituese fjalën “zemërthyerja”. E përdorën atë një numër politikanësh, sejcili në kontekstin që i vinte më për mbarë. Nga gjendje emocionale, zemërthyerja, papritur u shndërrua në gjendje politike, në kategori, ose (largqoftë) në lëvizje politike. Një metamorfozë që meriton vëmendje, koment dhe diskutim. 

Personalisht, para së gjithash, më tërhoqi vëmendjen trajtimi i fjalës “zemërthyerje”nga Sali Berisha. Berisha i kushtoi trajtimit të çështjes një dalje të posaçme në publik.

Ai pranoi se nuk ishte zemërthyer, pse shqiptarët nuk e votuan dhe një herë. Ai e refuzonte zemërthyerjen, pavarësisht nga “1 milion shpullat” që ia kujton me qejf kundërshtari. Deri dje Berisha kishte njohur përgjegjësinë e tij për humbjen e zgjedhjeve. Njeriu që është përgjegjës për “dëmin”, apo “gjëmën” që ka sjellë, si rregull është modest, kokëulur, i trishtuar, por kurrë qejfmbetur, hatërli, zemërthyer. Në meditimin e vet politik Berisha nuk qenka përballur me modestinë dhe përulësinë! Ai qenka përballur me qejfmbetjen dhe zemërthyerjen! Mos valle po ndërron mendje? Mos vallë po na “rrëfen” se përgjegjësia nuk është e tij, por e shqiptarëve që nuk e votuan?

Me tej Berisha na tha se, ai nuk është qejfmbetur, nuk është zemërthyer. Ai nuk ia ka “mbajtur shënim” shqiptarëve gabimin. Si gjithë njerëzit e mëdhenj, ai nuk bie pre e emocioneve negative, por di të ngrihet mbi to e të ngadhnjejë. Të jetë kjo arsyeja pse Berisha vendosi të ngjitet në Olimp dhe ta drejtojë PD­në nga “lart”?

Berisha, siç dihet, është kardiolog. Kjo duhet të jetë arsyeja që ai ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha patologjitë e zemrës, sidomos me “zemërthyerjen”: Berisha ka gjetur zgjidhjen, ka zbuluar sekretin e suksesit. 

Zemërthyerjen e vet ai nuk e pranon, kurse për zemërthyerjen e demokratëve me Berishën, thjesht nuk i bëhet vonë”.

SHKARKO APP