Fatos Nanos i urojnë të bëhet President i Shqipërisë (foto+video)

 

Ish kryeministri Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana gjenden këto ditë në Greqi. Çifti gjendet në ishullin Jonian, Kefalonia, ku ata jo vetëm po pushojnë por edhe kanë zhvilluar një takim me autoritete lokale dhe Nano ka dhënë prononcime.

Kryetari i bashkisë së Kefalonisë, Aleksandros Parisis dhe nënkryetari Dionisis Likudhis si dhe zyrtarë të tjerë lokalë zhvilluan takim me z.Nano dhe gruan e tij Xhoana.

Në takim, Parisis e konsideroi moment historik vizitën e Nanos në Kefalonia.

Ndërsa kreu lokal për Turizmin, Evangjelos Kekatos, propozoi që të shpallet Forumi i Parë i Biznesit mes Shqipërisë dhe Qefalonisë me president Fatos Nanon.

Në këtë forum do të ftohen krerët e qeverive të dy vendeve, përkatësisht kryeministrat Edi Rama dhe Aleksis Cipras si dhe ministrat e Turizmit të dy shteteve.

Kekatos, tha se Fatos Nano është një personalitet me përmasa botërore.

Ndërsa z.Nano ka folur për ato që i cilësoi bukuri natyrore të ishullit të mrekullueshëm Kefalonia. Nano foli edhe për lidhje tradicionale mes dy kombeve dhe tha se në Kefalonia gjeti një klimë mikpritëse që siç tha ai i bën emigrantët shqiptarë ta ndjejnë ishullin Kefalonia si një atdhe të dytë për ta.

Ish-kryeministri ne takime me drejtuesit e bashkise se Kefalonise, ku rolin e perkthyesit e bente bashkeshortja e tij, Xhoana

Likudhis i ka dhënë disa dhurata çiftit Fatos dhe Xhoana Nano dhe më tej shtruan një darkë për nder të tyre.

Në foto duket qartë se Fatos Nano ka kaluar në mbipeshë goxha më të madhe se më parë. E po ashtu shfaqet më e shëndoshur edhe bashkëshortja e tij Xhoana Nano.

Por shumë interesante është fjala përshëndetëse e zv.kryetarit Likudhis, që mund ta lexoni më poshtë:

“Fatos Nano është edhe mik i mirë i imi. Xhoana flet mirë greqisht, është aktivizuar në Greqi për shumë vite profesionalisht, në bashkëpunim me Organizmin Shtetëror të Komunikimit Ndërurban.

Atëherë, Fatos, ne jemi shumë të lumtur që ndodheni këtu, sepse për ne, Fatosi është një figurë politike dhe historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Europën; dhe është një figurë që Europa do ta ketë nevojë përsëri, ndaj ne i urojmë që realizohet edhe ajo që kemi dëgjuar të thuhet, se do të bëhet president i Shqipërisë; pra shpresojmë t’ja arrijë, sepse kjo do të ishte gjë e mirë edhe për Greqinë.

Kjo sepse ai ka dy tipare që janë shumë serioze për ne: I pari tipar është se është filogrek, dhe i dyti, sepse është ortodoks (Nano qesh). Këto elementë janë dy ura të mëdha mes dy vendeve dhe shteteve tona.

Karakteristika e tij e tretë, që harrova ta përmend, është se Fatosi është dhe mik i Qefalonisë, e adhuron ishullin tonë, ndaj dhe gjendet këtu ….

Kemi qenë së bashku edhe dje e pardje, dhe Fatosi ka treguar një ndjeshmëri të madhe ndaj problemit të rëndë ekonomik që kemi së fundi në vend.

Është pozicionuar tërësisht pro qëndrimeve tona në çështjen e krizës.

Dhe për ne ka shumë rëndësi që personalitete të tilla me rrezatim ndërkombëtar, të na mbështesin në këtë orë të vështirë. Fatos, siç thashë, ka tiparet që thashë më sipër, dhe e ka treguar. Ndaj ky takim nuk është thjesht një mirëseradhje e thatë, por fillimi i një rrugëtimi që do rikthejë lulëzimin e lidhjeve me dy vendeve, e sidomos në rastin tonë, të Qefalonisë me Shqipërinë.

Gjithsesi duam ta dini se kemi në ishull një komunitet të madh shqiptarësh, që banorët vendas e kanë përqafuar dhe angazhuar në jetën tonë të çdo sektori, ekonomik, politik e jetësor. Sepse tipari kryesor i Kefalonisë është se jemi një popull i ngritur kulturalisht, që e dimë se ç’do të thotë vuajtje ekonomike, sepse edhe shqiptarët e kanë kaluar në të kaluarën.

Prania jote këtu, dhe ajo çka do të dalë në media nga kjo prani, do t’i japë edhe më shumë kurajo këtij komuniteti, për të kuptuar se bashkia është pranë njerëzve të ishullit.

Së fundi, do doja siç thashë, që ky takim të ishte fillimi i një bashkëpunimi më të gjerë, sepse ne zoti president, kemi nevojë për praninë tuaj, këshillat tuaja këtu, dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve greko-shqiptare”

 

Nano për TV Jonian:

Greqia ka mbështetjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve

“Tani e dimë se situata po evoluon pozitivisht drejt një marrëveshjeje mes Greqisë dhe partnerëve europianë.

Jam i bindur se Greqia ka njerëzit dhe liderët e talentuar, si dhe potencialin, për të mbetur në shinat evropiane dhe për t’u bërë sërish një partner kontribuues dhe konkurrues në organizatat moderne.

Jam i bindur edhe se grekët kudo që janë, kanë një sens solidariteti me njëri-tjetrin dhe Europën, dhe ky është mesazhi më i fortë që liderët grekë po japin tek partnerët europianë. Ju mund të llogarisni mbështetjen e popullit shqiptar dhe Shqipërisë si vend i NATO-s dhe kandidat për BE.

Jam i sigurtë se do vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunimin e pasur të dekadave e shekujve, për të bërë që pasojat e rënda që po përballon rajoni të jenë sa më pak negative për të gjithë.

SHKARKO APP