“Fëmijët në protestë janë për psikolog”! Lëvizja për Universitetin jep katër arsye pse ministrja e Arsimit duhet të largohet
Deklarata e ministres së Arsimit, Evis Kushi, se do të identifikojë dhe trajtojë me shërbim psikosocial fëmijët pjesëmarrës në protestat për vdekjen e 25- vjeçarit nga Lapraka ka shërbyer si kauzë për të kërkuar dorëheqjen e ministres në fjalë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lëvizja për Universitetin ka reaguar duke e cilësuar retorikën e ministres përçmuese dhe me qëllimin e vetëm, atë të nëpërkëmbjes së protestës së të rinjve. “Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka tentuar të nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve duke i konsideruar subjekte të psikologut. Ministrja nuk e di se psikologu nuk mund të caktohet nëse nuk kërkohet dhe miratohet nga vetë personi. Sot Lëvizja Për Universitetin kërkon dorëheqjen e ministres Evis Kushi”, citohet në shkrimin e LPU, marrë shkas jo vetëm nga deklarata e fundit, por edhe pas akuzave të para disa muajve për plagjiaturë të punimit shkencor të doktoraturës, dështimit të mësimit online dhe keqmenaxhimit të shkollave në këtë gjendje pandemie.
Më shumë se sa protesta, sipas Lëvizjes, ajo që duhet të preokupohet më tepër ministrja janë përdorimi në fushata, analfabetizmi në shkolla apo menaxhimi i arsimit. “Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale.
Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat”. Sa i takon mënyrës së këndvështrimit të protestës, aktivistët sjellin me fakte atë që ministrja e cilëson krim. Trajtimin e të miturve në institucionet e paraburgimit. “E ftuar në studiot televizive për të bërë propagandë kundra protestës, ministrja Kushi shprehej gjithashtu se protesta ishte krim. Ajo harron qëllimisht që shumë minorenë janë dhunuar, arrestuar dhe përndjekur nga Policia e Shtetit. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, nga 182 të ndaluar, 60 prej tyre janë të mitur.
Gjithashtu rezulton se ndaj të miturve nuk janë respektuar parashikimet dhe standardet e legjislacionit lidhur me praninë e psikologut, si dhe vendin e marrjes në pyetje të të miturve”, citohet në deklaratën e Lëvizjes Për Universitetin. Mijëra të rinj, shumë prej tyre adoleshentë, kanë protestuar për 5 ditë me radhë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke sulmuar me gurë dhe mjete të forta institucionet shtetërore dhe efektivët e Policisë. Qindra protestues janë arrestuar ose ndjekur penalisht në gjendje të lirë.