Festat e fundvitit, VanHorn mesazh urimi: Bashkë për të forcuar demokracinë në Shqipëri
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në vigjilje të natës së ndërrimit të viteve ka përcjellë sot një mesazh urimi në rrjetet sociale.
Përveç vlerësimit për punën e kryer prej muajit gusht kur ajo mori zyrtarisht detyrën në vendin tonë, VanHorn thotë se SHBA-të dhe Shqipëria do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin edhe në vitin e ardhshëm.
“Në mbyllje të këtij viti, duke marrë një çast për të përsiatur mbi gjithçka kemi arritur krah Shqipërisë. Kur erdha këtu në gusht, pashë që shumë punë ishte duke u kryer. Jam krenare për çka kemi bërë së bashku për të forcuar demokracinë e Shqipërisë, për të ndërtuar partneritetin tonë në fushën e mbrojtjes dhe për të rritur lidhjet e biznesit”, thotë ajo.
VanHorn në videomesazhin e saj, risjellë në vëmendje edhe disa nga arritjet dhe ngjarjet kryesore të 2024-ës që shenjuan edhe bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe vendit tonë.
E Ngarkuara me Punë, VanHorn e mbyll mesazhin me një urim të përbashkët nga stafi dhe personeli që punojnë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.
“Mirëpres të vazhdojmë të punojmë së bashku vitin që vjen. Nga të gjithë ne, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar Vitin e Ri”.
/a.f/