Fevziu dhe Shkullaku komentojnë marrëveshjen: Kush do dalë i fituar

Gazetarët e njohur Blendi Fevziu dhe Armand Shkullaku kanë komentuar marrëveshjen e mazhorancës dhe opozitës për të bërë së bashku reformën zgjedhore. Një kthesë e fortë kjo dhe e papritur në diskursin politik të vendit. Në intervistën për Abc News, Blendi Fevziu thotë se nuk ka palë humbëse, ndërsa Shkullaku mendon ndryshe. Ai thekson se opozita duhet të kërkonte me këmbëngulje ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sipas Fevziut, opozita që prej qershorit të vitit të shkuar kur u zhvilluan zjedhjet lokale, nuk kishte rrugë tjetër veçse të ulej në tyrezë me maxhorancën. “Zgjidhje tjetër përveç kësaj marrëveshje nuk kishte. A mund të arrihej më shpejt apo më vonë është gjë tjeter. Por natyrisht që është arritur me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve edhe pse këtu po thuhet se ‘është bërë vetë’. Kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve”,- thotë Feviziu.

Ndërsa Armand Shkullaku thotë se opozita dështoi me rrugën e protestave, por shpreh rezerva për kërkesat që ka artikuluar në raport me ligjin zgjedhor. “Kjo (marrëveshja) është rruga e dytë meqenëse rruga e parë dështoi, të cilën nuk e shoh me shenja pozitive që mund të ndodhi, duke u nisur nga ajo që pamë dje, pra tryeza për reformën zgjedhore. Opozita duhet të kishte këmbëngulur fort në ndryshimin e sistemit zgjedhor”,- shprehet Shkullaku.

Kush del i fituar?

Për Fevziun të dyja palët momentalisht janë të fituara. “Ka një inkoherence të opozitës ka edhe lehtësim të mazhorancës se ka dalë nga impasi ky ishte. Opozita luftoi jashtë sistemit, por nuk arriti, ndërsa mazhoranca s’kishte qeverisje normale me opozitën jashtë sistemit”, theksoi ai. Thelbi i tyrezës mes PD e PS është dakordësia për të eleminuar shit-blerjen e votës. Por për Shkullakun me kërkesat e artikuluara deri më tani nga opozita mposhtja e pushtetit të Ramës do të jetë e vështirë të ndodhë. “Kushtet ku jemi, me garën që dimë të zhvillohet e shoh të vështirë që opozita të mposhtë një pushtet që kontrollon gjithçka. Me një marrëveshje për bashkëqeverisje, që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja opozita do të jetë e humbur”.

Në kushtet e reja politike ku ndodhet opozita, analisti Shkullaku thotë se Basha duhet të veprojë duke ringritur PD-në. “Lidershipi i PD-së duhet të japë prova. Premtimin për ndryshim duhet ta bëjë me akte dhe jo me fjalë”, tha Shkullaku duke kujtuar se në 2005 PD i fitoi zgjedhjet, pasi Berisha ftoi themeluesit ti bashkëngjiten partisë.

SHKARKO APP