Fevziu: Rama po e përqendron pushtetin te vetja. Do një president protokollar, nuk ka pse bën teatër për votat
Gazetari Blendi Fevziu thotë se kryeministri Edi Rama duhet ta zgjedhë vetë Presidentin e ri, pasi i ka votat dhe nuk ka pse të bëjë teatër. ”Në qoftë se ai do mbajë një profil të ngjashëm presidenti, që unë besoj në këtë drejtim do shkojë, do mbajë një president protokollar pak a shumë siç e përcakton edhe Kushtetuta dhe do të vazhdojë ta mbajë dhe ta përqendrojë peshën e pushtetit më shumë te vetja”,-tha Fevziu.
Mirela Milori: Është në një moment të fortë mendor Rama në këto momente, si e shikon, se edhe presidentin do ta zgjedhë vetë?
Blendi Fevziu: E para unë jam i bindur që presidentin duhet ta zgjedhë vetë, ai ka 71 vota, nuk ka pse bën teatër, nuk ka pse bën thirrje. Ka dy mënyra në qoftë se ai vendos që t’ia japë presidentin opozitës ose me konsesus mund t’u thotë që merreni ju propozojeni dhe neve do ta votojmë ose mund të thotë që unë do të jap konsensus për një njeriun tuaj, sillni pesë propozime dhe unë do të zgjedh një.
Mirela Milori: Mendon që do e zgjedhë dhe vet po e zgjodhi sepse thotë e kemi këtë luks….?
Blendi Fevziu: Absolutisht Rama i ka votat për ta zgjedhur.
Mirela Milori: A do të zgjedhë një figurë të mirëmenduar në këtë pikë të pushtetit që ka arritur, si e sheh?
Blendi Fevziu: Këtë nuk e di, nuk e di se çfarë ideje ka Rama, ka një lloj relativizimi të pushtetit të fortë politik të shumë personave, për shembull Lindita Nikolla si kryetare Kuvendi nuk ka pushtetin që kishte Gramoz Ruçi as atë që kishte Ilir Meta, as atë që kishte Jozefina Topalli, pra Rama po relativizon disa pushtete, po vendos njerëz të cilët nuk kanë as pretendime për të pasur protagonizmin që kanë pasur paraardhësit e tyre dhe po e përqendron pushtetin te vetja. Në qoftë se ai do mbajë një profil të ngjashëm Presidenti, që unë besoj në këtë drejtim do të shkojë, do të mbajë një president protokollar pak a shumë siç e përcakton edhe Kushtetuta dhe do të vazhdojë ta mbajë dhe ta përqendrojë peshën e pushtetit më shumë te vetja.