Fillimi i shkollës! Zonja e Parë, Armanda Begaj viziton shkollën 9-vjeçare “Bashkim Berisha” në Ndroq
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Zonja e Parë, Armanda Begaj zgjodhi ta kalonte këtë ditë me fëmijët e klasës së parë në shkollën 9-vjeçare “Bashkim Berisha” në Ndroq. Zonja e Parë uroi më të vegjlit: “Uroj që të mësoni shumë, të doni e respektoni mësuesen tuaj, të bëni shokë e shoqe, të luani e të argëtoheni së bashku”:
Ajo u premtoi atyre se do te shkojë në festën e tyre të abetares për të qenë me ta në një nga ditët më të paharrueshme të jetës së tyre. Zonja Begaj përshendeti disa klasa nxënësish e i uroi atyre një vit të mbarë. Ajo vizitoi edhe laboratorët e shkollës shumë të rëndësishëm për të mundësuar më mirë kuptimin e lëndëve shkencore.
Gjatë vizitës në shkollën “Bashkim Berisha”, Zonja e Parë u takua edhe me stafin pedagogjik të shkollës, të cilin e përgëzoi për punën, përkushtimin, pasionin, mirëmbajtjen e mjediseve dhe laboratorëve.
Në kuadër të fillimit të shkollës, Presidenti Begaj uroi më herët përmes një mesazhi të gjithë nxënësit dhe mësuesit. “Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë! Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes”,-tha në mesazhin e tij Presidenti.