Financial Times: Shqipëria një “Itali e vogël”, plazhe me çmime konkurruese. Rama: Jemi pjesë e hartës turistike të Mesdheut

Gjiganti botëror mediatik “Financial Times” e cilësoi Shqipërinë si “Italia e vogël” në një artikull të publikuar sot. Kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook këtë artikull, teksa theksoi se numri i lartë i pushuesve të huaj që kanë zgjedhur për të vizituar Shqipërinë e kanë bërë atë pjesë të hartës turistike të Mesdheut.

“Turizmi i këtij sezoni në syrin e gjigandit botëror mediatik “Financial Times” që Shqipërisë i vendos epitetin e “Italisë së vogël” pas bumit të kësaj vere me pushues italianë, por edhe nga gjithë bota, si konfirmim i faktit se tanimë jemi bërë pjesë e hartës turistike të Mesdheut, përkrah shteteve të sprovuara prej shumë dekadash në këtë industri”, shkruan Rama.

Artikulli i gjigantit britanik flet dhe për vizitën e kryeministres ialiane, Giogia Meloni në Shqipëri. “Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një vizitë të papritur në Shqipëri këtë javë, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë që kanë zgjedhur vendin ballkanik për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem. Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Pulias, ku ishte me pushime me familjen e saj për në portin shqiptar të Vlorës”, nis artikulli i “Financial Times”.

Sipas “Financial Times”, Shqipëria po gëzon një ringjallje ekonomike, pjesërisht edhe për shkak të bumit turistik. “Një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka shtyrë qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por tani po gëzon një ringjallje ekonomike pjesërisht për shkak të një bumi turistik”, citohet artikulli.

SHKARKO APP