Finlanda pozicionohet për anëtarësim në NATO
Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö dhe kryeministrja Sanna Marin janë shprehur për shtrimin e kërkesës për një anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të enjten, ata u shprehën, se Finlanda duhet “pa vonesë” ta shtrojë kërkesën për anëtarësim në aleancën perëndimore.
Prej dekadash Finlanda ka pasur një pozicion neutral kundrejt NATO-s. Që nga marshimi i trupave ruse në Ukrainë, qëndrimi i opinionit publik ka ndryshuar ndjeshëm. “Një anëtarësim në NATO do ta forconte sigurinë e Finlandës”, deklaruan Niinistö dhe Marin. Sipas një sondazhi të publikuar të hënën në Finlandë, 76% e qytetarëve finlandezë ndërkohë e mbështesin anëtarësimin në NATO, ndërkohë që në vitet e kaluara kjo mbështetje arrinte vetëm në 20 deri në 30%. Edhe Suedi fqinje pritet të publikojë së shpejti një vendim për anëtarësimin në NATO.
Pozicionimi i Finlandës për anëtarësim në NATO është përshëndetur nga vendi tjetër skandinav, Danimarka. “Danimarka do ta presë me përzemërsi Finlandën në NATO”, shkroi kryetarja e qeverisë daneze, Mette Frederiksen të enjten në twitter. Sipas Frederiksen anëtarësimi i Finlandës do të forconte NATO-n dhe sigurinë e përbashkët. Danimarka do të bëjë gjithçka për një anëtarësim të shpejtë të Finlandës, thuhet, kur të mbërrijë kërkesa zyrtare.
KOHA JONË SONDAZH

