”Fitojmë 40 vende në Këshillin e ri Bashkiak”, Veliaj: Bashkitë jo instrumente për t’i bërë karshillëk qeverisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Socialiste do të fitojë 40 vende në këshillin e ardhshëm bashkiak. Në një intervistë për Top News, Veliaj nënvizoi se ky numër mandatesh do i japë mundësi vijimit të projekteve në kryeqytet.

“Ambicia jonë është që në Këshillin e ri të kemi më shumë se gjysma dhe të shkojmë ndoshta rreth 40 anëtarë. Sipas sondazheve, ku ne kemi një sondim sistematik, dalim mbi 50%. Ndërkohë, të paktën 1/3 e Këshillit do të jetë me anëtarë të forcave të opozitës dhe kjo është mëse e mirëpritur. Rikthimi i opozitës në bashki, ashtu siç ishte edhe rikthimi i tyre në Parlament, fillimisht ndihmon ata që qeverisin, qoftë ky Kryeministri ose Kryetari i Bashkisë. Ndaj edhe unë jam entuziast për rikthimin e tyre, por nga ana tjetër si drejtues politik, e kuptoj që nuk do t’i kemi më të 61 anëtarët dhe do të duhet të vijmë me një skuadër të zhdërvjellët për këtë realitet të ri”, tha ai.

Veliaj deklaroi se lista e kandidatëve për këshilltarë të PS vjen me një sërë risish, sikurse është mosha e re, bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë, etj. Ai shtoi se pjesë e listës janë dhe mjaft profesionistë nga fusha të ndryshme, si juristë, ekonomistë, akademikë.

“Këshilli Bashkiak duhet të jetë pasqyrë e këtij realiteti, ndaj mosha mesatare e këshillit është 35 vjeç: janë kryesisht profesionistë të rinj. Kemi rreth 8 zv/ministra në ato dikastere ku raporti mes qeverisë qendrore dhe bashkisë duhet të konsolidohet. Nuk mjafton vetëm raporti i Edi Ramës me Erion Veliajn, na duhet që në shumë fusha të kemi një fuzion dhe koordinim. Fjala vjen, në Unazën e Tiranës, Qeveria bën aksin kryesor, Bashkia bën gjithë degëzimet. Në Tregun Agro-ushqimor, që po hapim së shpejti në Farkë, Qeveria ka dhënë një kontribut, Bashkia ka dhënë kontributin tjetër.

Tek Piramida 1/3 e bashkisë, 1/3 e Qeverisë, 1/3 e fondit Shqiptaro-Amerikan, tek Pazari i Ri gjithashtu. Duam gjithashtu, të japim dhe mesazhin që Bashkia nuk është një instrument për t’i bërë karshillëk qeverisë. Kam dëgjuar disa kandidatë që thonë aman të marrim Bashkinë, pastaj të rrëzojmë Qeverinë. Bashkia është një instrument që të bashkëpunojë me Qeverinë, që në të gjitha këto projekte ta kemi këtë mbështetje dhe Tirana të zhvillohet. Është një instrument për të bërë mirë, nuk është një instrument për të shkatërruar pushtetet tjera ose për të nxjerrë inate politike”, theksoi Veliaj.

SHKARKO APP