Fituesit e “Fest 63” në podcast me Ramën, Beatriçe: Muzika shkodrane në shtëpinë time këndohet gjithë ditën
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion Shqiptar ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në episodin 16, të sezonit 3 të podkastit “Flasim”. ”Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025, që do të mbahet në 13-17 maj 2025 në Bazel të Zvicrës.
Ata treguan fillesat e grupit “Shkodra Elektronike” në vitin 2019, ndërsa u shprehën se ishte pikërisht muzika shkodrane që i bashkoi, ndërsa kishin krijuar secili jetën e tyre artistike në Itali, ku edhe jetonin prej vitesh. Aranzhimi elektronik i këngëve shkodrane është risia që sjell ky grup, i cili ia doli të fitonte që me debutimin e parë në një event kaq të rëndësishëm muzikor siç është Festivali i Këngës.
“Muzika shkodrane në shtëpinë time këndohet gjithë ditën”, u shpreh Beatriçe, e cila është larguar drejt Italisë me familjen në vitin 1997, në moshën 6-vjeçare. Nip i kompozitorit të shquar Gjon Simoni, Kola tregoi rrugëtimin e tij nga liceu “Prenkë Jakova” në Shkodër ku studionte për piano drejt muzikës elektronike, por pa hequr dorë nga muzika tradicionale shkodrane.