Fjalimi i plotë, Rama: I vetmi muhabet i socialistëve, jam në punë, s’jam në punë

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” në Gjirokastër

Nga Edi Rama

Jam shumë mirënjohës që sot mund të shkëmbejmë së bashku disa fjalë, në këtë proces që është i lidhur me nevojën për ta hapur, për ta zgjeruar, për ta rritur dhe forcuar Partinë Socialiste. Kjo jo thjesht sepse jemi në një fazë kur duhet të zhvillojmë zgjedhjet në të gjitha nivelet e organizimit të Partisë Socialiste dhe duhet të shkojmë drejt një Kongresi që ka një rëndësi të posaçme, por pikërisht sepse në të njëjtën kohë, i gjithë ky proces është i lidhur pazgjidhshmërisht me domosdoshmërinë për të fuqizuar kursin e reformave, për të fuqizuar përmbajtjen e qeverisjes tonë dhe për të çuar me edhe më shumë energji përpara, operacionin tërësor që ne kemi nisur me reformat tona.

Swiss Digital Desktop Reklama

Është domosdoshmëri që të kuptohet nga të gjithë se ka një lidhje të brendshme, shumë të rëndësishme, mes asaj që ne bëjmë si forcë kryesore qeverisëse në qeverinë e vendit dhe asaj që ne bëjmë çdo ditë në këtë proces brenda Partisë Socialiste. Ka një rëndësi themelore që atë vizion, të cilin ne po e mishërojmë me reforma të munguara, të vonuara, të zvarritura prej 20 e kusur vitesh, ta mbështesim njëkohësisht me një proces reformimi të brendshëm, transformimi dhe ripërtëritje të brendshme. Njësoj siç ka nevojë organizmi i njeriut të ripërtërihet së brendshmi në mënyrë të vazhdueshme dhe ashtu siç Partia Socialiste ka qenë vazhdimisht dhe këtu bën dallim nga të gjitha forcat e tjera politike në Shqipëri, një organizëm që është ripërtërirë vijimisht në të gjitha vitet e ekzistencës së saj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ajo që ne po bëjmë në qeverisje është një arsye shumë e fortë për të rritur mbështetjen tek Partia Socialiste, për të rritur angazhimin e njerëzve me Partinë Socialiste. Këtu, përgjegjësia themelore i takon të gjithë atyre që janë në çdo pozitë drejtuese në Partinë Socialiste, duke nisur që nga ata që drejtojnë një organizatë në fshatin më të largët. Atyre u takon përgjegjësia që të ripërtërijnë strukturën sociale të organizatës socialiste.

Në këtë proces jemi të gjithë të vetëdijshëm për shumë të meta që nuk mund t’i tolerojmë dot, sepse duhet t’i japim një shtysë edhe më të fortë reformave, duhet t’i japim një energji edhe më të madhe mbështetjes për Partinë Socialiste.  Të meta që materializohen në formën e organizatave familjare. Një familje, një organizatë dhe i gjithë komuniteti rreth e rrotull, qoftë një fshat i vogël, qoftë një lagje, e identifikon Partinë Socialiste me këtë fakt të papranueshëm, që Partia Socialiste, në këtë realitet të vogël përfaqësohet nga një familje, një fis. Një pallat i vetëm në një lagje të tërë përfshin gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste. Mungesë e madhe e ekuilibrave gjinore. Organizata socialiste pa asnjë grua, pa asnjë vajzë. Mungesë e madhe kapaciteti për të reflektuar shoqërinë. Organizata socialiste ku e vetmja bisedë është “jam në punë, s’jam në punë shteti”, “hyra unë në punë, po do hyjë edhe gruaja” apo “pse hyri gruaja e tij dhe s’po hyn gruaja ime”.

Ndërkohë, ku janë të vetëpunësuarit, ku janë ata, të cilët nuk janë në nevojë për të marrë një punë në shtet, por punojnë tokën, punojnë në ndërmarrje, drejtojnë ndërmarrje, punojnë në një biznes të vogël?!

Një Shqipëri e tërë jeton përtej zonës ku jeton Shqipëria që ka nevojë për punësim. Ku është kjo Shqipëri?! Mungon në shumë organizata socialiste kjo Shqipëri, kjo përbërje sociale që është e domosdoshme për të pasur në hapësirën e Partisë Socialiste, përfaqësimin e të gjithëve. Duke i pasur të gjithë të përfaqësuar, atëherë, edhe debati është shumë më i shëndetshëm, shumë më i gjerë dhe shumë më emancipues.

Nuk zgjidhet problemi i punësimit duke e parë derën e shtetit si të vetmen derë ku mund të gjesh një punë dhe as duke rënë në tundimin që të përsërisim historitë e Saliut, “hiq pastruese e vër pastruese”, “kjo është me ne, ajo nuk është me ne”. Çfarë zgjidhim?! Edhe sikur ta zëmë se teorikisht mund të realizohet gjithë ky operacion, prapë se prapë, vendet në dispozicion janë shumë më pak sesa nevoja. Shpesh herë, për shkak se në këtë lloj qasje primitive bëhen vlerësime të gabuara dhe zgjedhje të gabuara, jo vetëm që nuk zgjidhim, por prishim shumë më tepër punë sesa rregullojmë. Sepse harrojmë që thelbi është merita.

Kam parë e dëgjuar reagime të shpeshta lidhur me mësuesinë. Ndërkohë që ne jemi shumë krenar për reformën që po bëjmë dhe që po e shpëton shkollën e fëmijëve tanë nga kthetrat e klientelave politike. Detyra jonë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë që të përsërisim historinë e vjetër korruptive të “hiq një mësues dhe vër një mësues”, sipas interesave të klientelës politike, duke harruar që mësuesi dhe mësuesja janë kujdestarët e dritës së syve të kësaj shoqërie, që janë fëmijët.

Kjo politikë e ulët, e pabesë, hileqare, tradhtare, çoi në krijimin e një situatë të tmerrshme, të turpshme në mes të Europës, me 4 mijë mësues që i gjetëm pa arsim dhe jashtë profilit, që kanë marrë më qafë, vite të tëra, dhjetëra e mijëra fëmijë. Ndërkohë që detyra jonë është të krijojmë kushtet që çdokush që meriton të japë mësim, sepse është më i zoti apo më e zonja se dikush tjetër, të ketë mundësi të provohet dhe prova është testi kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, që u bë vjet, zhvillohet përsëri në ditët në vijim. Çdokush që është në dispozicion apo i gatshëm për të dhënë mësim, testohet, merr pikët dhe vendoset në listën e klasifikimit të të gjithë mësuesve në dispozicion, bazuar mbi pikët. Kështu nuk është më drejtoria arsimore apo zyra arsimore që bën emërime dhe çemërime, sipas qejfit, gjë që i bëri drejtorët e arsimit në Shqipëri, heronjtë e zinj të korrupsionit, por është Portali. Në këtë mënyrë nuk ka të drejtë asnjë drejtor të kapërcejë vendet, të marrë atë që ka më pak pikë dhe ta vendosë përpara atij që ka më shumë pikë, kur lirohet një vend. Është një skemë e shkëlqyer në koncept, nuk është ende e përsosur në zbatim dhe detyra jonë është ta përsosim në zbatim, jo ta përmbysim në koncept.

Njëkohësisht, tani hyjmë në një fazë të re, ku edhe mësuesit që janë ekzistues do të testohen të gjithë. U bë testimi pilot në Tiranë, do të bëhet në të gjithë Shqipërinë. Edhe mësuesit që janë në sistem do të marrin edhe ata kreditet e tyre, jo për t’i larguar nga puna, por për t’i dhënë qartësisht para syve, pasqyrën e situatës dhe për t’i krijuar kushte që të trajnohen, të përmirësohen dhe në rast se nuk janë më në gjendje që të kenë më shumë pikë, sesa kanë ata në gatishmëri, do të “hapin krahun”. E gjithë kjoështë për të konsoliduar sistemin e mësimdhënies.

Nuk e ka bërë dhe nuk  e bën asnjë vend në Europë, këtë që është bërë në Shqipëri në 20 e ca vite dhe që arriti kulmin në tetë vitet që pararendën ardhjen tonë në detyrë.  Asnjë vend! Kjo është një tradhti kombëtare e mirëfilltë! T’ua punosh fëmijëve dhe gjeneratave të tjera, kështu siç ua ka punuar politika shqiptare dhe siç ua kanë punuar qeveritë në Shqipëri, është diçka kriminale.

Si mund të trajtohen shkollat si zyra puna!  Përse kemi fituar ne?

Ne kemi fituar që t’i japim të gjithë njerëzve mundësinë që të marrin atë që u takon, që t’u japim mundësinë atyre që janë më të zotë që të marrin atë që meritojnë. Ne si parti, strukturat dhe organizatat tona duhet të hidhen përpjetë kur shkelet ky parim, jo të hidhen përpjetë kur ky parim zbatohet.

E njëjta gjë vlen në të gjithë sektorët.

Ne kemi shumë njerëz që meritojnë respekt dhe meritojnë të kenë mundësinë t’i shërbejnë këtij vendi dhe nëse ata sot ende nuk kanë marrë atë që u meriton, ky është problemi ynë dhe nëse ata sot ende janë viktimë e padrejtësive në përzgjedhje, në emërime, në promovime, ky është problemi ynë; Nëse dikush vazhdon të përfitojë duke përdorur flamurin e Partisë Socialiste, ky është problemi ynë, kur përfiton padrejtësisht. Nuk mund të jetë problemi ynë e kundërta, sepse ne jemi kalimtarë. Ne kemi marrë një mandat për të shërbyer dhe deri kur do të kemi besimin e popullit për të shërbyer, do të jemi këtu.

Detyra jonë është që mbasi të kemi kaluar këtu, të lëmë pas jo gërmadha, por një mur ku të tjerët të vazhdojnë të ndërtojnë, tullë pas tulle, gur pas guri. Të lëmë jo plagë dhe pasoja të tmerrshme si ato që la Saliu, por një Shqipëri më të mirë, për ta çuar ende më përpara. Sepse kjo histori nuk do të mbarojë kurrë, gjithmonë do të ketë nevojë për të shkuar më tutje. Ajo që ne po bëjmë është vendosja e themeleve të shtetit. Kemi pasur shumë ndryshime në Shqipëri në 20 e ca vite, kemi pasur shumë transformime, por shtet as që bëhet fjalë, nga pikëpamja e institucioneve dhe e një mekanizmi tërësor që garanton njerëzit. 

Dje prezantuam projektligjin për të regjistruar shqiptarët. Përfytyroni ju ndonjë vend, përveçse në ato xhunglat e botës së tretë, ku qeveritë nuk numërojnë shtetasit e tyre, ku shteti nuk di sa njerëz ka. 4,4 milionë themi ne, por është një shifër statistikisht e pavërtetuar deri në fund.

Kanë lindur 300 mijë bebe në emigracion, nga viti 1990. Ku janë? Se di askush. 300 mijë bebe shqiptare jashtë Shqipërisë! Ku janë shqiptarët që jetojnë jashtë, a di gjë njeri?

Ndërsa këtu, 20 e kusur vite nuk kemi adresa. Akoma, posta i gjen shtëpitë me të pyetur, në një vend në mes të Europës. 25 vite, një shtet ku në tjetër vend figuron, në tjetër vend banon, në tjetër vend shfaqesh dhe në tjetër vend vdes! Shtet është ky! Kanë vajtur të tërë, 20 vjet me radhë, në Athinë, në Selanik, në Romë, shko këtej dhe shko andej sa herë ka pasur fushatë dhe ju kanë thënë “na jepni votën, se sa të na jepni votën, do ju japim mundësinë të votoni”. Dhe fakti nuk është se përse nuk kanë votuar ende shqiptarët jashtë Shqipërisë, por si ka mundësi që shteti asnjëherë nuk u përpoq të fillojë të bëjë regjistrimin e tyre.

Kjo sjell atë që ka ndodhur në mbi 20 vite, që të jesh emigrant dhe të kërkosh një certifikatë, një copë letër nga shteti yt që vërteton se t’i ekziston, duhet të  kalosh në një procedurë që është njësoj si procedura që duhet të kalonin të huajt kur kërkonin vizë për të hyrë në Shqipëri, në kohën e regjimit të Enver Hoxhës! Po aq e gjatë, dy muaj!

Dy muaj për të marrë një certifikatë i duhen një emigranti, sot. Duhet t’i çosh prokurë familjes, familja me prokurën duhet të shkojë tek prefekti, mbasi prefekti t’ia njohë prokurën, duhet të gjejë një përkthyes të autorizuar e mbasi të përkthejë nga përkthyesi  i autorizuar prokurën, duhet të shkojë në Ministrinë e Jashtme, mbasi të shkojë në Ministrinë e Jashtme, duhet të presë atje dy muaj. Gjashtë hapa, 48 euro. Çfarë të presim tjetër, kur ne i trajtojmë sot, shqiptarët që jetojnë jashtë si të huaj!

Ndërkohë që jemi të gjithë emigrantë kur shkojmë në gjykatë. Gjykatat e vendit, drejtësia në këtë vend është po aq e barabartë dhe po aq në shërbim të qytetarëve, saç kanë qenë gjykatat e huaja, kur shqiptarët u shfaqën në perëndim. Çfarë shteti është ky!

Çfarë shteti mund të quhet kur në 20 e kusur vite, në mes të Europës, jo vetëm që i lejoi, por i pranoi si pjesë të jetës demokratike, vjedhjet e dritave! Ku ndodh kjo?

Një shtet i vënë i tëri në dispozicion të partisë në pushtet dhe një parti në pushtet e vënë e tëra në dispozicion, për të zgjatur pushtetin në kurriz të shtetit. “Bjeri shtetit, le t’i vjedhin dritat ata, se janë tanët, le të ndërtojnë pa leje ata, se janë tanët, mos i ngacmo ata, se po i ngacmuam po humbasim vota”, – kjo ishte filozofia.

Parafytyroni sikur këto reforma të ishin bërë 20 vite përpara. Sepse atëherë duhet të bëheshin. Sot do të ishim duke bërë biseda të tjera. Sigurisht do të kishte nevojë për ndryshime të tjera, për qeveri të reja, por nuk do të ishim në këtë gjendje. Ja, kështu është shteti shqiptar, si ky kinoteatri në Gjirokastër, i gjithi çfarë ka mbetur nga koha e dikurshme. Të tërë këtu dridhen nga i ftohti.

Kjo vlen për t’i thënë të gjithë atyre që janë të paduruar dhe kanë të drejtë se kanë 20 e kusur vite që presin e presin dhe kur vjen puna, i duan të gjitha gjërat sot; Nuk bëhen të gjitha gjërat, sot. Çdo gjë do kohën e vet, do punën e vet, do sakrificat e veta. Qeveria nuk është as magjistar dhe as makina që ka paratë e bankës dhe nuk kemi as ndonjë shpellë floriri.

Pasuria është ajo që ne krijojmë së bashku.

Në cilin vend në Europë dhe rreth e rrotull mund të imagjinohen protesta se pse ka gjoba, apo pse u rritën gjobat. Na thonë pse rrisni gjobat, në qoftë se me kapni duke vjedhur. Pse duhet të vjedhësh!? Na thonë pse të shkoj në burg, në qoftë se fsheh të ardhurat. Po ku tjetër të shkosh!?

Këto janë gjëra kaq elementare, që jo Europa, por rajoni ku jetojmë i ka kaluar me kohë. Ne vazhdojmë i diskutojmë, vazhdojmë i kthejmë në probleme të mëdha politike. Ne jemi në kushtet kur kemi përballë një kundërshtar që thotë “çohuni në revolucion” se këta duan të bëjnë shtet. Nuk e thotë me këto fjalë, e thotë ndryshe, por thotë “çohuni në revolucion”, që të mos ketë shtet këtu, që këtu të vazhdojë rrumpalla dhe gara të jetë kush merr më shumë vota, duke lejuar më shumë shkelje, më shumë abuzime dhe duke vazhduar historinë sesi t’ia hedhim njëri-tjetrit. 20 e kusur vite duke ia hedhur njëri-tjetrit, duke qeverisur sikur zbatojmë ligjin, duke bërë sikur paguajmë taksa dhe duke i trajtuar si budallenjtë më të mëdhenj në planet, ata që respektojnë ligjin.

Pensionistët janë kategoria më e diskriminuar dhe më e varfër e këtij vendi dhe janë kategoria më e vendosur mbi shinat e ligjit. Kategoria më e varfër janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike. Çfarë janë? Budallenj? Mbi 20 vjet që respektojnë ligjin dhe paguajnë dritat, paguajnë detyrimet dhe nuk i bien në qafë njeriu.

Kjo është Shqipëria demokratike që ne ndërtuam vit pas viti, duke jetuar në kurriz të fëmijëve tanë. Janë 25 vjeç, ata që lindën në vitin e ndryshimit. 25 vjeç me diploma fals nëpër duar. Shumica juristë që nuk kanë punë. Një djalë, përpara disa ditësh më kërkoi të bënim një fotografi bashkë, ndërkohë më thotë “më gjej ndonjë punë”. E pyes se çfarë shkolle kishte. “Jurist si gjithë shqiptarët” – më tha. Ja, kjo është historia jonë.

Ajo që ka rëndësi është që ne po bëjmë gjërat e duhura. Nuk është Gjirokastra sot, qyteti që unë dua të jetë dhe të shikoj në momentin kur të mund t’ju them: Ja për këtë arsye na votuat. Sigurisht që në dy vjet, në Gjirokastër kemi bërë më shumë se në 23 vjet, të marra së bashku. Por nuk mjaftojnë dhe nuk ka sesi. 23 vjet shkatërrim nga braktisja, nga dhunimi, nga injoranca, që këtë pasuri kaq të madhe që duhet të ishte dhe duhet të jetë, që mund të jetë dhe do të jetë një territor ku njerëzit jo të mos kenë probleme me varfërinë, por të prodhojnë ekonomi edhe për gjithë rajonin dhe të kontribuojnë edhe për ekonominë kombëtare, i katandisur në një vend si të ishte në shkretëtirë, ku nuk ka pikë uji. Gjithë kjo pasuri që rrënohej ditë për ditë, para syve të shtetit dhe shteti as nuk donte t’ia dinte fare. Zero!

Investimet tona në Gjirokastër, në këto 2 vjet kapërcejnë me herë investimet e bëra në këto 20 e kusur vite. Por e përsëris, nuk mjaftojnë. Mjaftojnë vetëm për një gjë, për të kuptuar të gjithë që ka vetëm një mundësi dhe ka vetëm një fuqi për ta çuar Gjirokastrën drejt rrugës ku meritojnë ta marrin dhe ta trashëgojnë fëmijët tanë dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Nuk ka tjetër! Kjo është qeveria jonë dhe koalicioni ynë për Aleancën e Shqipërisë Europiane. Nuk ka tjetër! Çdo gjë tjetër është mbrapa kthehu dhe turru andej nga erdhe, domethënë, pa shtet, pa rregulla, t’ia hedhim njëri-tjetrit, fiton ai që është më arroganti, më abuzivi dhe mbetet budalla, ai që respekton rregullat.

 

Këta muaj të procesit të nisur brenda Partisë Socialiste janë vendimtarë për një rritje cilësore të partisë sonë dhe janë një kontribut jetik për fatin dhe cilësinë e reformave tona. Reformat tona nuk përcaktojnë zgjedhjet e ardhshme. Ato përcaktojnë fatin e gjeneratës tjetër, njësoj si mungesa e reformave në vite përcaktoi fatin e kësaj gjenerate që sot është 25 vjeç. Një fat jo i shkëlqyer dhe një fat jo i njëjtë me fatin e të njëjtës gjeneratë rreth e rrotull. Këto reforma përcaktojnë atë që Shqipëria do të jetë mbas 10-20 vjetësh, në të gjithë sektorët.

Kjo është përgjegjësia jonë dhe këtë duhet të kuptojmë ne. Kjo është edhe arsyeja pse të gjithë ata që janë votues të Partisë Socialiste duhet të ndjehen sot aspak të lumtur me situatën, por krenarë që votuan për t’i hapur rrugë këtij ndryshimi rrënjësor dhe për të kaluar nga një periudhë pa shtet, në një fazë të re historike, ku Shqipëria të ketë shtetin që shqiptarët meritojnë dhe institucionet që garantojnë të drejtën e fëmijëve për të marrë mësim, jo që abuzojnë me këtë të drejtë, duke u dhënë në fund diploma false, që garantojnë pasuritë e këtij vendi dhe që i kthejnë këto pasuri në mirëqenie.

Shqipëria është vendi i dytë më i pasuri me ujë dhe me burime hidroenergjetike në Europë, mbas Norvegjisë. Norvegjia sot, vendi më i pasur, falë në radhë të parë këtyre burimeve. Shikoni Shqipërinë. Nuk po them të ishim të dytët, por jemi katandisur në 20 e kusur vite në gjendjen që pasuria na është kthyer në problem. Për shkak se kemi shumë ujë duhet të përmbytemi, duhet të rrimë pa drita, duhet të paguajmë edhe për gjysmën tjetër që s’paguan, etj..

Po kështu me naftën. Kanë ardhur këtu pushtues, kanë sjellë me vete kompani, kanë shpuar për naftë dhe kanë marrë. I kemi parë edhe në filmat e realizmit socialist. Por nuk ia kanë bërë kurrë pushtuesit, pasurisë tonë nëntokësore, atë që i ka bërë Saliu. Besojeni këtë gjë. Nuk ia kanë bërë kurrë, atë që i bëri politika e ndërtimit të Bathores nëpër lumenj, me copa letrash e koncesione për qindra hidrocentrale. Një marrëzi e pashoqe!

Ajo që ne po bëjmë, është e po vendosim shtetin në detyrë, edhe në raport me këto pasuri, edhe në raport me ata që kanë marrë koncesione. Po rezistojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira, me koncesione të blinduara me Parlament, që janë një kërcënim për të na e bërë vrimë arkën e shtetit, për shkak se në arbitrazh janë në avantazh ata. Kjo, pasi qeveria e mëparshme është sjellë me këto pasuri jo si pronare, por sikur i ka pasur për t’i dhënë një orë e më parë dhe për t’i çuar në shtëpi të ardhurat nga këto praktika skandaloze.

Nuk e ka tradhtuar asnjëherë një qeveri në Europë, popullin e vet dhe interesat e veta, siç e ka tradhtuar qeveria e mëparshme me koncesionet që ka dhënë. Është e lehtë të thuash “hajt, ta prishim”, por pastaj përfundon në gjykatë ndërkombëtare. Gjykata nuk njeh kryeministrin, ajo njeh qeverinë e Shqipërisë dhe ka qenë po qeveria e Shqipërisë ju ka dhënë ato garanci, ndaj e pëson prapë populli shqiptar.

Ne nuk duam t’u lëmë shqiptarëve fatura të tjera. 720 milionë dollarë të fshehura borxh na i la qeveria e mëparshme. Edhe një borxh publik skandaloz, të krijuar me marrëzinë e daulleve elektorale. Nuk ka mundësi për të lënë më shumë.

Por, nga ana tjetër, ne nuk mund të rrimë dhe të shikojmë. Prandaj kemi filluar t’ia vëmë dhe do t’ia vëmë deri në fund, kufirin tek thana, sipas një shprehjeje, të gjithë atyre që janë në Shqipëri për të fituar. Sigurisht të fitojnë, por të fitojnë atë që u takon nga eksplorimi i pasurive kombëtare dhe për t’i kthyer popullit shqiptar, atë që i takon popullit shqiptar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?