Flamur Noka: Basha po e çon PD drejt fundit, shef ka Ramën
Deputeti i PD-së Flamur Noka është zëri më kritik i Lulzim Bashës, dhe këtë e ”pagoi” me heqjen e postit si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë me vendim të Bashës, dhe është drejt përjashtimit edhe nga grupi parlamentar i PD-së. Tani akuzon Bashën duke thënë se po e çon partinë drejt asfiksisë. Për të PD-ja është peng dhe Rama është shefi i Bashës.
”Basha po e çon partinë drejt asfiksisë. Ai nuk ndjen për partinë dhe nuk i dhimbset kjo forcë politike. Se çfarë interesash ka ai, do ta tregojë koha. Ai e sheh ku e ka katandisur PD-në, por nuk shqetësohet, sepse shqetësohet vetëm për karrigen e tij. Pasi shpalli Sali Berishën armik e më pas, ai bën veprime që nuk i ka të vetat.
Çdo ditë del i sforcuar dhe trazuar, pasi ka dalë nga shinat e tij dhe e ka humbur sensin e kontrollit, duke thënë se baza është antiamerikane dhe llum i PD-së. Opozita është peng dhe në një vend të tillë demokracia është duke dhënë shpirt. E patë edhe sot në kuvend ku ishte një teatër i inskenuar për të treguar që Basha nuk është peng.
Edi Rama ia bërë me dije se Basha është pengu i tij. Basha është në këtë situatë sepse ka vetëm një mision; zerimin e opozitës dhe Foltorja e ka tmerruar atë bashkë me Shefin e tij, Edi Rama. Për Bashën Foltorja është një mjet që e fut në panim dhe stres”,-tha në ”Ora News”.