Flamur Noka: Të gjitha sondazhet nxjerrin PD-në fituese, në Tiranë marrim 20 mandate!
Flamur Noka, kandidat i PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, foli në programin Ditari në A2 për fushatën zgjedhore dhe pritshmëritë që ka opozita nga këto zgjedhje. Noka u shpreh se më datën 25 prill, Shqipëria do të ketë ndryshimin e patjetërsueshëm.
“Fryma është e tillë që tejkalon çdo kufij të programeve politike, por PD ka një program të cilin mund ta konsiderojmë si programet më të mira të përgatitura ndonjëherë në këto vite demokraci. Programi është konkret që ngjit te njerëzit, është program pa mashtrime. Ne nuk kemi premtuar shëndetësi falas, 300 mijë vende pune. Ne kemi bërë një studim së bashku me ekspertët dhe kemi arritur në një program konkret, tërësisht i zbatueshëm. Çështja numër 1 sot është ndryshimi. Kur vjen puna te programi, të gjithë janë të qartë se është i realizueshëm. Askush nuk ka ngritur pikëpyetje për programin.
Më tej, ai u shpreh se mazhoranca është pa program dhe nuk jep as llogari për 8 vite në pushtet. “Po ky kryeministër thoshte para 8 vitesh që shqiptarët do kenë ujë të pijshëm 24 orë, të njëjtën gjë thotë edhe tani. Këta kanë mashtruar në 8 vite. Pandemia, një keqmenaxhim. Ky kryeministër refuzoi vaksinat kineze, tani po i merr në Turqi. Ky është i pashpresë dhe kapet pas vaksinave, të cilat janë në detyrë. Kur nuk ke asnjë arritje kapesh pas vaksinave. Premtoi shëndetësi falas, por fytyra e shëndetësisë falas është Pipero. Shkoi jashtë shtetit për t’u kuruar”.
Noka theksoi se ngjarja e Kavajës është përpëlitje për të mbijetuar e Rilindjes. “Ata i pret disfata. Shqiptarët sot janë më të vendosur se kurrë për të bërë ndryshimin. 25 prilli do të jetë dita e ndryshimit. Askush se ndal ndryshimin. Të vetmit që ndihen të rrezikuar janë Rilindja dhe banda e saj”.
Sa i përket sondazheve, Noka tha se të gjitha nxjerrin opozitën fituese. “Rama është njeriu që bën sondazhe më shumë se kushdo në këtë vend dhe të gjithë tregojnë PD-në fituese, tregojnë se Rilindja është duke rënë në humnerë. PD ka një objektiv, 20 deputetë në Tiranë”, tha Noka.