Euronews albania: Flasin shqiptarët për deputetët: Në fushatë të puthin dorën, pas zgjedhjeve të harrojnë

Pjesa më e madhe e shqiptarëve (51%) nuk njeh asnjë nga deputetët që përfaqësojnë zonën e tyre në parlament. Mes votuesve socialist në zgjedhjet e fundit, deputetët e zonës njihen më shumë (58,7%) sesa mes votuesve demokratë (50,4%).

Katër në pesë shqiptarë (75%) nuk janë kontaktuar në asnjë formë nga kandidati për deputet përpara zgjedhjeve të 2021-shit. Edhe më shumë janë ata (80%) që nuk janë kontaktuar as pas zgjedhjeve nga deputetët e zonave të tyre.

Ndarë sipas partisë që votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare, rezulton se votuesit socialist që janë kontaktuar përpara zgjedhjeve nga kandidati i zonës (30,5%) janë thuajse po aq sa votuesit e djathtë të kontaktuar (28%) nga deputetët që përfaqësojnë zonat e tyre.

Pas formimit të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, vetëm 16% e votuesve socialistë dhe 12% e atyre demokratë, janë kontaktuar nga deputeti që përfaqëson sot zonën e tyre. Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në nivel kombëtar me 1 mijë intervista ballë për ballë në datat 25 Prill deri më 7 maj. /Euronews Albania/

SHKARKO APP