Flet avokatja e Frrokut në Belgjikë: U arrestua në 2004, por u lirua pa asnjë kusht
Në një intervistë telefonike për Top Channel, avokatja mbrojtëse e Mark Frrokut në Belgjikë, Carine Couquelet, hedh dritë mbi ngjarjen e ndodhur në vitin 1999 në Bruksel, për të cilën akuzohet deputeti Frroku, si dhe mbi provat që disponon prokuroria belge për këtë ngjarje.
“Është një histori shumë e vjetër e marsit 1999 dhe në 2004 klienti im është arrestuar këtu në Belgjikë për këtë çështje dhe pas dy muajsh, drejtësia belge e liroi atë pa asnjë kusht.
Kjo do të thotë, sipas meje, që akuza ishte shumë e dobët, sepse kur ti lirohesh pas dy muajsh nga burgu pa asnjë kusht, pa asnjë akuzë, do të thotë që akuza është absolutisht e dobët.
Nuk ka dëshmitar, nuk ka prova materiale. Klienti im ka thënë që nuk ka qenë në atë kohë në Belgjikë. Ai ka qenë më parë në Belgjikë, por në kohën e kësaj ngjarje nuk ka qenë.
Ai ka qenë në Shqipëri dhe këtë do t’ja provoj gjykatës.
Ka vetëm një dëshmi anonime dhe nuk është e mjaftueshme për të dënuar një person”, thotë avokatja belge.
Lidhur me zgjatjen e këtij procesi gjyqësor ajo thotë se:
“Unë kam përfaqësuar klientin tim që në vitin 2004. Pas vendimit të gjykatës e cila e dënoi me 10 vite, çështja shkoi në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë e prishi vendimin në vitin 2010 dhe tani jemi në pritje të kemi një proces të ri gjyqësor dhe unë besoj që ai do të shpallet i pafajshëm, pasi nuk ka asgjë në këtë dosje".
E pyetur nëse Mark Frroku mund të arrestohet nëse udhëton drejt Belgjikës, ajo ka deklaruar se kjo varet nga autoritetet belge, por sipas saj nuk ka asnjë arsye.
“Kjo varet nga autoritetet belge, por nëse vjen kjo çështje, ne do t’i drejtohemi gjykatës që ai të lihet i lirë deri në fillimin e procesit, sepse është një histori shumë e vjetër dhe ai ka bërë 2 muaj burg e nuk ka asnjë arsye për ta arrestuar tani.”
Avokatja Couquelet thotë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me klientin e saj, deputetin Mark Frroku edhe gjatë ditëve të fundit, dhe sipas saj, Frroku ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë belge, pasi sipas saj, nuk ka asnjë arsye që t’i fshihet derisa është i pafajshëm.