Flet Ministri Tahiri: Asnjë formë presioni apo terrori nuk do të më ndalë

Ministri i Brendshëm ka reaguar pas sulmit me tritol ndaj farmacisë së babait të tij.

Saimir Tahir thotë se nuk është e lehtë  të shohësh familjen e sulmuar.

Por, ai shprehet se askush s’mund t’i bëjë presion që të mos bëjë detyrën:

Mirënjohje dhe falenderimet më të ngrohta për mesazhet e panumërta të solidaritetit që kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në telefonin tim apo të familjes sime.

Të gjithë atyre që kanë pasur mirësinë të më shkruajnë dhe të gjithë shqiptarëve që më kanë dhënë privilegjin t’u shërbej në këtë detyrë të vështirë, të cilët i ndjej dhe i shoh çdo ditë në krahun e ligjit dhe të Policisë së Shtetit, u them sot se do të vazhdoj t’Jua shpërblej mbështetjen Tuaj të pakursyer duke vazhduar të bëj detyrën ndaj Jush.

Sigurisht që nuk është e lehtë të shohësh familjen tënde të sulmuar për shkak të detyrës qe ti bën, por dua të më besoni se kjo e bën edhe më të fortë ndjenjën e kësaj detyre kaq me rëndësi për sigurinë dhe qetësinë e çdo familjeje apo individi që jeton në vendin tend.

Kushdo qoftë urdhëruesi dhe përçuesi i mesazhit që përcjell ky akt terrorist ndaj familjes sime, duhet ta dëgjojë sot po kaq qartë e fortë mesazhin tim: Gjithçka që është në fuqinë time i’a kam vënë dhe do t’ia vë në dispozicion fitoreve të betejave të vazhdueshme me krimin e me njerëzit e krimit.

Asgjë dhe askush, me asnjë formë presioni apo terrori të çfarëdo natyre, nuk do të më ndalë në këtë rrugë të përcaktuar nga populli shqiptar në 23 qershor, nga shumica parlamentare e këtij vendi dhe kryeministri e qeveria ku kam kam nderin e përgjegjësine të bëj pjesë.

Përkundrazi, lufta me krimin do të vazhdojë të përshkallëzohet sipas projektit tonë për ndërtimin e një rruge të re për Shqipërinë, përmes një shteti që nuk është me peng në duart e të fortëve që deri dje bënin ligjin dhe një policie që është rikthyer në krye të detyrës për t’u ngritur përditë në lartësinë e aspiratave të popullit shqiptar.

Faleminderit të gjithëve”, shprehet Tahiri.

SHKARKO APP