Fleta e votimit me emra, Celibashi: Nuk do të kishim kaq shumë vota të pavlefshme
”Numri i lartë i fletëve të pavlefshme të votimit ka ardhur për shkak edhe të vendosjes së numrave dhe jo të emrave në fletë”. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për media, theksoi se nga KQZ-ja nuk mungoi informacioni mbi mënyrën e votimit.
“Me fletën varet si është organizuar informacioni dhe është herët për të bërë këtë vlerësim, por KQZ-ja arriti të bënte një fushatë informimi dhe edukimi si asnjëherë tjetër, por kemi një numër të madh të fletëve të pavlefshme. Se të them që mungoi informacioni nuk e them dot, se KQZ-ja ka zhvilluar një fushatë të gjerë informimi dhe edukimi. Unë nuk dua të bëj profetin, por në vlerësimin tim nëse fleta do të ishte me emra, ndoshta mund të ishte ndryshe, por vendimmarrja e KAS dhe Kolegji konsideruan se me numër ishte më e thjeshtë. Është çështje subjektive, por fakt është që kemi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme”.
Sipas Celibashit, numri i madh i fletëve të pavlefshme tregon që kanë votuar për dy subjekte, ndërsa për votimin elektronik thotë ai mundësia për pavlefshmëri është zero. I pyetur në lidhje me pasuesin e Monika Kryemadhit nëse vendoset për të në qarkun e Fierit, ai tha se kjo vendimmarrje i takon komisionerit dhe theksoi se do ta bëjë publike sapo të merret një vendim i tillë.