Fleta e votimit sa një libër? Bylykashi: Ja një shembull i thjeshtë

Çështja e koalicioneve është pika e fundit ku nuk bien dakord mazhoranca me opozitën, sa i përket reformës zgjedhore.

Opozita pranoi hapjen 100% të listave por nuk do që të hiqen koalicionet parazgjedhore. Mazhoranca thotë që hapja e listave të bëhet e pjesshme dhe që koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve. Një nga argumentat e mazhorancës është se me formulën aktuale të koalicioneve do të bëhet e pamundur hartimi i një flete zgjedhore pasi do të jetë shumë e gjatë.

Por, Oerd Bylykbashi ka sjellë sot gjatë konferencës për shtyp një shembull se si mund të jetë një fletë votimi.

Ai tha se fleta e votimit me koalicione nuk është libër i trashë, siç thotë Edi Rama dhe se do të vazhdojë të jetë e thjeshtë.

Sipas tij, shembulli tregon që nuk ka asnjë pengesë për zbatimin e listave të hapura 100% dhe koalicioneve parazgjedhore.

“Çështja e funksionimit bashkë të listave të hapura dhe koalicioneve siç i kemi sot është çështje teknike e zgjidhshme lehtësisht. Zgjidhet me kod e kanë zgjidhur vende të tjera. Sipas Ramës fleta e votimit do jetë një libër që do e bëjë të pamundur për zgjedhësit të zgjedhë. Nuk është e vërtetë. Nëse këto parti do garonin individualisht, me listë të hapur përsëri lista e votimit e tillë do ishte. Nëse Rama mendon se do iu kufizojë të drejtën partive për të garuar tregon qëllimin e tij. Koalicionet zgjedhore janë traditë 30-vjeçare kushtetuese. Përpjekja që bën Edi Rama për të stigmatizuar koalicionet tregon frikën e tij nga përballja me shqiptarët. Modeli me listë të përbërë është i mirënjohur, e kemi marrë si model nga vendet europiane. I jep mundësinë dhe fuqinë zgjedhësit që të përcaktojë forcën e secilës parti. Rama kërkon mbylleni listën në mënyrë që të kenë të pamundur zgjedhësit ta bëjnë këtë zgjedhje.

Është detyrim sot që lista e kandidatëve të çdo partie të publikohet. Zgjedhësi kur përzgjedh partinë zgjedh me numër dhe kandidatin. Kjo tregon që ajo që thotë Rama është gënjeshtër. Ky është modeli që ka Kosova. Ne kërkuam një gjë fare të qartë maxhorancës, a jeni dakord të hapen listat 100% pa ndryshuar formulën e koalicioneve. Për 2 orë rresht përfaqësuesi i maxhorancës u përpoq të thoshte jo me fjalë të tjera dhe doli qartë qëllimi”, deklaroi Bylykbashi.

SHKARKO APP