Floida Kërpaçi: Të taksojmë ata që kanë marrë çdo punë, që të mos ngelen të rinjtë e Shqipërisë të papunë
Politikë E Enjte, 28 Janar 2021 11:08
Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë në kryeqytet teksa fokusin kryesor e pati tek programi politik i LSI, ku theksoi se një nga propozimet që ka nxitur më shumë debat është taksimi që kjo parti propozon për 200 kompanitë më të mëdha, para që synojnë të shkojnë vetëm për rritjen e cilësisë së arsimit.
Postimi i plotë i kryetare së LRI:
TË TAKSOJMË ATA QË KANË MARRË ÇDO PUNË, QË TË MOS NGELEN TË RINJTË E SHQIPËRISË TË PAPUNË
Që prej prezantimit të programit politik të LSI, një nga propozimet që ka nxitur më shumë debat është taksimi që ne propozojmë për 200 kompanitë më të mëdha, para që ne synojmë të shkojnë vetëm për rritjen e cilësisë së arsimit.
Ditën e djeshme, rasti e donte që të dëshmohej qartë pse është kaq e domosdoshme kjo masë me interes kombëtar.
Bombola e gazit që plasi në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër, është VULA për çdo shqiptar se shteti nuk i shërben fëmijëve tuaj.
Nuk mendon njeri për shkollën sepse Rilindja ja ka dorëzuar ekonominë, buxhetin e shtetit, pronat publike, interesave private mes tyre dhe oligarkëve.
Me bombolën e shpërthyer mund të kishin humbur jetën fëmijë dhe mësues; ndërkohë që shkatërrimi i cilësisë së arsimit po u vret atyre të ardhmen dita ditës.
Kjo duhet të marrë fund! Nuk ka pse të jetë kështu.
LSI, që në 5 muajt e parë të qeverisjes do të vendosi Taksën e së Ardhmes për 200 bizneset më të mëdha. Atyre nuk i kushton asgjë, por ndërkohë për fëmijët shqiptarë do të thotë E ARDHME! Për familjet shqiptare do të thotë ulje e kostos që përballen për edukimin e fëmijëve.
Nga shkolla me infrastrukturë bashkëkohore, te mësues të mirëpaguar, te libra falas e më të mirë, deri te arsim cilësor që i pajis me dijet e duhura për punët e të ardhmes. Fëmijët e Shqipërisë do të kenë të ardhme më të mirë, e nuk do të kenë të njejtin fat si aktualisht, që pas shkollimit nxënësit i bashkohen ‘ushtrisë së të papunëve’ ose asaj të emigrantëve.
Ka shpresë dhe alternativë. Mjafton vullneti për punë të mira.
Ndaj, kujdes çfarë vendosni më 25 Prill
Edhe 87 ditë kohë për të ndarë mendjen në përcaktimin e të ardhmes