”Foltorja” në Berat, Berisha: Jemi në vështirësi, Rama grabiti mandatin e tretë
Ndalesa e rradhës e ”Foltores” është Berati. Në takimin që po zhvillon me demokratët, Sali Berisha tha se jemi në vështirësi të madhe, janë rritur çmimet bazë. Në këtë takim, ish-kryeministrin e shoqëron Bujar Nishani, Genc Pollo. Po ashtu Berisha akuzoi duke thënë se Edi Rama e grabiti mandatin e tretë qeverisës.
”Berati ka qenë diamanti i kurorës së saj. Me trashëgiminë e madhe para së gjithash shpirtërore të qytetarëve të këtij qyteti, sot fatmirësisht Berati është pasuri botërore që bën krenar cdo shqiptar. Ne mblidhemi në një moment kritik, në një periudhë udhëkryqi të vërtetë për demokracinë shqiptare, për PD, por po kaq edhe për Shqipërinë. Sot një regjim i cili pranohet thuajse botërisht si narkoshtet hyri në mandatin e tij të tretë.
Edi Rama grabiti mandatin e tretë, reputacionin, emrin por dhe jetën e shqiptarëve në Shqipëri, Europë dhe botë. Në 8 vite kaloi nga një rekord i zi në një tjetër. Mund t’ju numëroj vetëm pasojat e Covidit, ne jemi në krye të kombeve në Europë dhe në 3-4 kombe me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje dhe kjo jo se nuk kemi sistem shëndetësor, jo se ishim të prapambetur e të pavetëdijshëm. Jo, ne kemi një shkollim në rritje për problemet e shëndetit por sepse politikat që u ndoqën ishin fund e krye në favor të Covidit dhe jo të qytetarëve.
Përgjegjësit më kryesor të kësaj drame që ngjiti Shqipërinë në çatinë e Europës dhe botës për nurmin e vdekshmërisë nga Covidi, jo vetëm që nuk u larguan, përkundrazi janë po ata në qeveri dhe vijojnë me po të njëjtat praktika të vjedhin qytetarët shqiptarë”.