Fondacioni Martin & Mirash Ivanaj – Një xhevahir kulture dhe dije në mes të Tiranës
Nga Mal Berisha
Një Vegim i largët rreth emrit “Mirash”
Ishte viti 1959 kur u ula në bangën e klasës së parë të shkollës fillore “Asim Vokshi”, në Tropojë. Ajo ishte një shkollë e vogël e themeluar në vitin 1923, pas dy shkollave tjera të hapura në rrethin tonë: Ajo e fshatit Gjonpepaj në vitin 1917 dhe e Kolgecajt, sot B.Curri, në vitin 1922. Aty e kishte mësuar germën e parë shqipe edhe babai im. Në ato vite fëmijërie, tek më përcillte për në mësim, në këmbë, në një largësi prej më pak se dy kilometrash, im atë më tregonte sesi kishte qenë ajo shkollë në vitet e fëmijërisë së tij. Më tregonte për mësuesit, të cilët nxënësit i adhuronin gati si hyjni. Pastaj më tregonte se kur ai kishte qenë nxënës po aty, në vitet ’30, ata rreshtoheshin çdo ditë në oborr, me mësuesin përkatës në krah. Drejtori i shkollës iu mbante një fjalim të shkurtër atdhedashurie, pastaj sëbashku mësues e nxënës këndonin Himnin Kombëtar.
Pas këtij rituali të përditshëm, gjithnjë sipas babait, fillonte mësimi. Ai më tregonte për disiplinën e rreptë që zotëronte dhe sidomos për marrëdhëniet me mësuesit dhe më këshillonte që edhe unë t’i respektoja mësuesit e mi, të cilët ai vetë i kishte të gjithë të njohur. Shpesh gjente rastin të më tregonte sesi në kohën kur ai ishte nxënës, na kishte pas qenë një mësues shumë i zoti që më pas u bë edhe ministër. Ministri kishte vënë rregull të madh në arsim, ndaj të gjithë e donin shumë. Ai ishte aq i dashur për mësuesit dhe nxënësit sa, kur u largua nga ajo detyrë të gjithë u merzitën shumë. Dinte se ky ministri e donte shumë gjuhën shqipe dhe dëshironte që ajo të mësohej në mënyrë përfekte. Ai quhej Mirash dhe unë e mbaja mend sepse një nga fqinjët tanë, kishte të njejtin emër dhe dallohej sepse ishte e vetmja familje e fesë katolike në fshatin tonë.
Më vonë babai më tregoi për ditën kur thuhej se gjëmuan topat aq shumë në bregdetin e Durrësit, sa u dëgjuan deri tek ne, atje, midis Alpeve. Ishte ushtria italiane që e pushtoi Shqipërinë. Mësuesit e shkollës, atë të Premte të Zezë të 7 Prillit 1939, i njoftuan të gjithë nxënësit të dilnin nga klasat dhe të rreshtoheshin para shkollës. Drejtori i shkollës iu tregoi duke qarë me dënesë se, Shqipëria prej asaj dite, nuk ishte më e pavarur. Ajo ishte pushtuar nga italianët. Pastaj i ftoi të gjithë të këndonin Himnin Kombëtar dhe iu tha se do të vini në shkollë vetëm kur t’i thërrisinin përsëri. Ne fëmijët, – vazhdonte ai, – ikëm më vrap, të gjithë duke qarë, por pa e kuptuar aq mirë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Edhe Mbreti kishte ikur diku larg. Pas disa ditësh kur na njoftuan të ktheheshim në shkollë, në vend të Himnit Kombëtar që e kishte lënë trashëgim Ministri Mirash, tani na mësuan të këndonim këngën Giovinezza – Giovinezza që ishte himni fashist i Duçes…
Se sa e rregullt ka qenë ajo shkollë e dëshmon një foto shumë e qartë e vitit 1935, ku kanë dalë të gjithë mësuesit dhe nxënësit e saj. Aty gjendet edhe babai im i cili, më vonë u bë mësues dhe shërbeu në disa zona shumë të thella të Malësisë së Gjakovës si në Theth, Curraj të Epër në Myhejan dhe në Berishë. Në rrjedhë të viteve im atë më pat përmendur se ai Ministri i famshëm Mirash, i kohës së Zogut, qe denuar dhe vdiq në burg.
Dalja në dritë e të panjohurës Ivanaj
Kaq dijeni kam patur për Ivanajt deri në vitin 1991. Sado e pakëndshme të duket kjo mungesë dije për figura të tilla të kombit, prapëseprapë e ka një justifikim: Ne nuk dinim asgjë. Po! Ne dinim për Mandelën e Afrikës, por nuk dinim se në Shqipëri kishte mijëra Mandela që nga Mirash Ivanaj e deri tek Pjetër Arbnori, që dergjeshin, vuanin dhe vdisnin në burgje jashtë syve të opinionit publik shqiptar dhe të huaj.
Me të rënë komunizmi filluan të dalin emrat e figurave të shquara të kombit tonë të cilët diktatura jo vetëm i kishte eleminuar fizikisht, iu kishte zhdukur varret, por as emrat nuk lejonte tua përmendnin. Ndër ta ishin dhe vëllezërit Martin & Mirash Ivanaj.
Shkurt: Kush ishin vëllezërit Martin dhe Mirush Ivanaj?
Në fillimin e viteve ’90 filluan të përmendeshin nëpër gazetat e kohës emrat e dy vëllezërve Martin dhe Mirash Ivanaj. Ne mësuam se ata kishin lindur në Podgoricë në një familje nga Trieshi i Malsisë së Madhe. Ata kishin mësuar aty në fillim, e më pas kishin studiuar në Pozharovac të Serbisë, natyrisht në gjuhën serbe. Në atë gjuhë ata shkruan me bashkëautorsi dy volume poetike, “Kulla e Shpresës Time” dhe “Epopeja e Njeriut”. Më pas, me shumë mundime kishin arritur që të mbaronin, që të dy Universitetin e Romës, sot La Sapienza, me nga dy diploma të shkëlqyera dhe me tituj doktorësh në filozofi e jurisprudencë. Ishte koha kur Shqipëria ishte shpallur e pavarur dhe shteti kishte nevojë për njerëz të ditur. Prandaj u kthyen në Shqipëri dhe bashkë me kushëririn e tyre, Nikollë Ivanajn, themeluan gazetën “Republika”. Më pas shërbyen në administratën e shtetit shqiptar por, pa u përfshirë në veprimtari politike. Në vitet ’30 Martini, si një jurist i talentuar arriti të bëhej Kryetar i Gjykatës së Kasacionit dhe formuloi e komentoi të parin Kod të Procedurës Civile në Shqipëri, ndërsa Mirashi nga mësues, u bë drejtor i Gjimnazit në Shkodër dhe Ministër Arsimi në vitit 1933-1935.
A i hapi rrugën laicizmit në arsim dhe e ngriti shkollën shqipe në nivelin e një shkolle kombëtare me edukim patriotik e shkencor larg ndikimeve të huaja imperialiste dhe atyre fetare. Më pas ai shërbeu si Kryetar i Këshillit të Shtetit prej nga vëzhgonte të gjitha projektligjet, propozimet, miratimet në parlament dhe zbatimin e tyre. Të dy njihen si reformatorë të mëdhenj dhe njerëz pa kompromis kur ishte fjala për të drejtën dhe arsimin shqiptar.
Martini u martua me Profesoreshën italiane Giuseppina Pogliotti dhe patën një vajzë, Dritën, ndërsa Mirashi nuk u martua asnjëherë. Më 7 Prill 1939, me pushtimin fashist, ata u larguan nga Shqipëria. Martini nuk jetoi gjatë, vetëm një vit pas largimit dhe ndërroi jetë në Stamboll, ndërsa Mirashi pas shumë peripecishë në mërgim, duke besuar se Shqipëria u çlirua, u kthye për t’i shërber atdheut të tij ku kishte shtëpinë dhe një bibliotekë me mijëra libra. Por ndodhi ndryshe: Shtëpia ishte konfiskuar nga rregjimi, bibiloteka ishte vjedhur e tëra ndërsa, ai vetë, pas një viti, përfundoi në burg dhe vdiq aty në vitin 1953.
Pas disa dekadash heshtje varri rreth këtyre dy vëllezërve patriotë, emri dhe vepra e tyre iu rikthye kujtesës së shqiptarëve në fillim të viteve ’90. U rikthye kujtimi dhe nderimi për Ivanajt, për ata të dy që duken si vëllezër “siamezë” për të përtërirë imazhin e dy shqiptarëve të vërtetë.
Ata të dy luftuan në dy fronte të rëndësishme, Martini në fushën juridike ndërsa Mirashi në fushën e arsimit kombëtar.
Njohja me Fondacionin Martin & Mirash Ivanaj dhe bijën e tyre DRITA
Ndonëse isha me shërbim jashtë shtetit, në vitin 1993 mësova se një bijë e Ivanajve kishte ardhur në atdhe. Ajo kishte puthur tokën shqiptare sapo kishte shkelur në të. Drita ishte pritur me nderime të mëdha nga autoritetet e qeverisë demokratike të kohës, e cila shquhej për rikthimin e nderit të patriotëve që ishin persekutuar nga rregjimi komunist.
Pasi isha kthyer nga shërbimi diplomatik shumëvjeçar jashtë shtetit, në vitin 2018, më erdhi rasti të merrja pjesë në një forum që organizohej rreth lirive të shtypit në Shqipërinë e sotme. Organizatorët më njoftuan se takimi bëhej në një institucion me emrin “Martin & Mirash Ivanaj Foundation”, në zemër të Tiranës. Dëshira për të marrë pjesë në atë forum më solli dhe një nga surprizat më interesante, më të dhimbshme më emocionale, por përtej asaj edhe më mbresëlënëse të jetës time: Gjeta rastin të shikoja atë që lidhej me rrëfimin e babait tim për Mirashin, dhe shkollën e viteve ’30 të shekullit të kaluar. Po atë ditë pata privilegjin dhe nderin e madh të njihesha edhe me Dritën, bijën e njërit nga vëllezërit Ivanaj, Martinit. Ishte vërtetë një DRITË që reflektonte iluminizëm, dijeni, dashuri njerëzore, sakrifica jetësore. Në fakt ngjante sikur po prekje vetë historinë jo në formën e një statuje por, të një njeriu që ke përpara dhe të flet thjesht dhe ëmbël. Tek e dëgjon Dritën të vjen të mendosh për jetën: Sa e vështirë është ajo, sa shumë mund humbë njeriu dhe sa forca duhen për t’i tejkaluar të tëra pragjet që të dalin përpara!
Pas takimit të parë i premtuam njëri- tjetrit të mbeteshim në kontakt. Shkëmbyem kartvizitat. Njohja më mirë e Fondacionit Ivanaj, e historisë së vëllezërve Martin & Mirash dhe të vetë Dritës u kthye për mua në një detyrë morale, të cilës nuk do t’i rezistoja dot. Fillimisht mendova t’i bëja donacion disa nga librat që kam shkruar vetë. Zgjodha si më të përshtatshmet Biografinë dhe veprën e Amerikanit Charles Telford Erickson në tre volume dhe atë të ambasadorit amerikan në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933, Herman Bernstein. Të dya këto figura, të cilave iu kam kushtuar një pjesë të rëndësishme të kohës së jetës time kishin dhe kanë lidhje me Ivanajt. Si “kompensim”, Drita më dhuroj një seri librash për babain e saj të dashur Martin dhe axhën Mirash.
Kështu i hyra me pasion njohjes së tyre nëpërmjet një libri biografik të shkruar nga Dr. Iljaz Gogaj, një libri tjetër të shkruar nga Lazër Radi, traktatin filozofik kombëtar shkruar nga Nikollë Ivanaj, një tjetër i afërt i tyre, dhe ciklet poetike të dy vëllezërve të përkthyera nga Lazër Radi e Dr. Pjetër Dreshaj si dhe ato që ka shkruar për ta zonja Përtefe Leka.
Sa më shumë studioja, aq më shumë njësohesha, emocionalisht me vëllezërit Ivanaj.
Në morinë e veprave që kam lexuar në jetën time, gjithmonë jam lidhur emocionalisht me personazhin dhe kam ndjerë gëzimin ose dhimbjen që të shkakton përshkrimi artistik kur vepra është thjesht letrare. Por kur lexoj, studioj ose përgatit edhe vetë monografi për një personazh me jetë dramatike si ajo e vëllezërve Ivanaj, lidhja ime emocionale është shumë më e fortë pasi njohja me njerëz të vërtetë është shumë më shume shpirtërore sesa artistike. Në këtë drejtim më mbetet të vendos në krye të të gjithëve jetën e vëllezërve Ivanaj dhe pas tyre atë të Charles Telford Erickson, i cili i kushtoi jetën Shqipërisë, duke sakrifikuar edhe ai, familjen dhe fëmijët.
Ivanajt – Përmendore të Kulturës Shqiptare
Të tillë janë tani për mua Ivanajt. Dy vëllezër që historia edhe pse me padrejtësitë e saj, do t’i bënte të mbeteshin si dy përmendore të kulturës, arsimit, letërsisë, sundimit të ligjit, shtetformimit të shqiptarëve dhe më në fund, sakrificës sublime. Dy vëllezër që edhe pse mund të kishin shkuar në çdo vend perëndimor ku me aftësitë e tyre të jashtëzakonëshme, formimin shumë solid arsimor e botkuptimor, profesionalizmin e lartë, njohjen e shumë gjuhëve të huaja dhe talentin që kishin në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, ata zgjodhën të ktheheshin në atdhe, në ditët më të vështira të kombit tonë. Ishte koha kur po sendërtohej shteti, po merrte formë shtetësia, kur njerëz të tillë ishin pak nga aftësia dhe shumë herë më pak nga ndershmëria dhe përkushtimi.
Të lexosh të gjithë atë çfarë kanë bërë dhe çfarë është shkruar për vëllëzerit Ivanaj, është si të kalosh nëpër një rreth emocional ku të përjetosh ecurinë e dy jetëve epike, malsore, krejt shqiptare, të paepur, stoike dhe heroike. Është kalvari i jetës së dy vëllezërve kolosë, të cilët i kishin shumë të pakta ditët e lumtura të jetës së tyre. Ata ishin dy djem me një fëmijëri me plot privacione, me vështirësi të mëdha për shkollimin, me të ardhura të pakta për ngritjen akademike, pa pretendime dhe të gatshëm të shërbejnë për atdheun me çfarëdo lloj çmimi, njerëz të vendosur për të sakrifikuar dhe të pathyer në qëndrimet e tyre që kishin të bënin me karakterin, traditën shqiptare, besnikërinë ndaj atdheut, përparimit dhe modernizimit të tij. Aq sa ishin poetë e të butë si qënie njerëzore, aq ishin të rreptë dhe të pa lëkundur në mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës, të barazisë para ligjit ndaj të gjithë qytetarëve, të respektit për njeriun e aftë e të ndershëm, të ashpër ndaj çdo armiku të Shqipërisë, kushdo që të ishte dhe ngado që të vinte ai. Edhe pse të lindur e të edukuar si të krishterë të mirë, ata ishin ndër të parët që luftuan për ndarjen e fesë nga shkolla dhe nga shteti. Për ta, ruajtja e të drejtave të klerit nuk presupozonte përzierjen e tij në çështjen e shkollës, prandaj dhe guxuan t’i mbyllin shkollat fetare dhe t’i lejonin ato të funksiononin vetëm brenda instituiconeve të tyre. Të tillë qëndrim mbajtën edhe ndaj shkollave të huaja të cilat e helmonin ndërgjegjen kombëtare shqiptare me përjashtim të dy prej tyre – Shkolla Bujqësore Amerikane e Kavajës ndërtuar nga Ericksoni dhe Liceu Francez i Korçës që drejtoheshin nga shqiptarët.
Historia e Ivanajve – Model edukimi dhe vetë-edukimi atdhetar.
Të mësosh historinë e Ivanajve do të thotë të plotësohesh shpirtërisht, të edukohesh patriotikisht dhe të mbushesh me ndienja të forta atdhetare. Gjatë gjithë kohës që e kam studjuar jetën e Ivanajave më dukej se po soditja një monument gjigand disa bojë njeriu. Që ta vështrosh mirë atë, duhet të vesh duart mbi vetulla për të ruajtur sytë nga madhështia që të shkakton ai monument virtual. Në tërë këtë tiradë ngjarjesh, rrebeshesh të jetës, nëse do ta përshkruaje me një udhëtim të gjatë figurativ, dalin aq shumë piramida me shenja të bukura e të skalitura – del poezia, gazetaria, ligjshmëria, mësimdhënia, shkrimet e bukura atdhetare, respekti për zyrën e shtetit, qëndrimet e ndershme, “intoleranca” ndaj allishverisheve nëpunësve të shtetit të kohës, aftësia mësimdhënëse nga ana e Mirashit, aftësia interpretuese e Kodit Civil nga ana e Martinit, por…edhe një cilësi që e kanë malësorët: Besimi naiv kur je i bindur plotësisht se nuk ke bërë asgjë të keqe në jetën tënde. Mirash Ivanaj besonte se kishte bërë gjënë e duhur kur i preu bursën një studenti anonim, vagabond, që nuk jepte provimet në Francë por, nuk e pandehu se ai student, i cili një ditë do të bëhej diktatori i Shqipërisë, nuk do ta falte kurrë për atë veprim. Prandaj u kthye në atdhe për të kontribuar përsëri me aftësitë e tij, pa as më të voglën frikë. Dhe e pësoi siç e pësoi!?
Të bashkëpunosh me Fondacionin Ivanaj – një nder dhe detyrim moral.
Veprimtaria dhe bëshkëpunimi me Fondacionin Ivanaj është një mundësi për të njohur historinë e vendit tonë në ato meridiane ku vepruan ata. Dhe ajo histori sot mund të mësohet jo vetëm në librat e shkruar dhe biografitë e studimet për ta, por edhe nëpërmjet pasardhëses së tyre, Dritës, në Fondacionin Martin & Mirash Ivanaj. Kur futesh në atë institucion, sheh se ai është i denjë për të qenë edhe në New York, në Londër, Paris apo Romë. Për më tepër, aty takon atë Shqiptare të Rëndë që mban mbi vete Peshën e Mbiemrit të saj dhe të prindërve, babë Martinit, që i iku nga kjo botë kur ajo ishte vetëm pesë vjeçe, Mamës italiane, Profesoresha e nderuar Giuseppina Pogliotti – Ivanaj, që vdiq pas dhjetë vjetësh, dhe axhë Mirashit. Gjen në të vërtetë themeluesen e Fondacionit që e risolli në kujtesën tonë emrin dhe veprën e tyre ndërsa në veprimtarinë tonë të përditshme artin e bërjes së gjërave në mënyrë përfekte.
Të takosh Dritën do të thotë të takosh njeriun që i ka kaluar me sukses të gjitha vështirësitë e jetës me forcën e sajë. Fondacionit Ivanaj vërtetë i mungojnë mijrat e librave të bibliotekës së babait dhe axhës së Dritës, të cilat diktatori ia rrëmbeu – i mungon ai fond që ishte një ndër arësyet që Mirashi – me naivitet – siç e pohonte edhe vetë, u kthye në atdhe, por nuk i mungon asgjë për ta lartësuar emrin IVANAJ në piedestalin e kulturës, arsimit, letërsisë, humanizmit, legjislacionit shqiptar në majat më të larta ku ndonjëherë ka arritur ndonjë individ i popullit tonë. Një ditë monumenti i Vëllezërve Ivanaj domosdo duhet të zbukurojë një park në Tiranë dhe një emër institucioni arsimor do të duhet të mbajë emrin e tyre.
Nderim të përjeshtëm!
Shkruar nga Mal Berisha