Fondet amerikane, ish-sekretari i OSBE: SPAK nuk rrezikon

Ngrirja e fondeve amerikane e urdhëruar nga presidenti Trump nuk ndikon në reformën në drejtësi në Shqipëri, sipas diplomatit dhe ekspertit ndërkombëtar Thomas Greminger. Në një intervistë për Top Channel, ish-sekretari i OSBE-së në Vjenë vlerëson se bllokimi i financimeve do të ndikojë në disa sektorë dhe jo në shtete specifike.

”Nëse i referohemi mënyrës së të menduarit brenda rrethit të Trump-it, nuk shoh ndonjë rrezik të madh për SPAK-un, për një nismë të rëndësishme si reforma në drejtësi. Mendoj se nuk është një ndërprerje për një vend të caktuar, por më tepër për fusha të veçanta. Çdo gjë që promovon diversitetin, çështjet gjinore, kontrollin e lindjeve, këto janë tema të ndjeshme për filozofinë ”Make America Great Again”, mbi të cilën mbështetet presidenti Trump.

Në këto fusha pres shkurtimet më të mëdha të fondeve. Megjithatë, nuk besoj se do të shohim rajone të tëra të shkëputura nga financimet, përveç rasteve kur më vonë presidenti Trump mund të vendosë se ato ‘po sillen keq’. Kjo mbetet një mundësi, por në afatin e shkurtër nuk shoh rrezik që vende të veçanta të përjashtohen plotësisht”, tha Thomas Greminger.

Në lidhje me Ballkanin, ai tha se vëmendja e Donald Trump nuk do të jetë drejtuar nga ky rajon, ndaj ai nuk ka pritshmëri për zhvillime të menjëhershme në lidhje me përparimin e dialogut Kosovë-Serbi. ”Sipas perceptimit tim, Ballkani Perëndimor nuk është shumë lart në listën e prioriteteve të administratës së re. Kjo mund të shihet edhe si një lajm i mirë, pasi nuk do të ketë presion mbi ta. Nuk pres që Ballkani Perëndimor të jetë në qendër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Trump-it në afatin e shkurtër dhe të mesëm.

Nuk pres ndonjë nxitje për konfliktet në rajon, për dialogun Beograd-Prishtinë. Deri tani, nuk kemi dëgjuar shumë nga administrata e re në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet parë se kush në ekipin e Trump-it do të merret me Ballkanin Perëndimor. Përveç figurave kryesore rreth presidentit, një rol të rëndësishëm do të kenë edhe stafi i nivelit të dytë, përfshirë ambasadorët. Do të jetë thelbësore se kush do të dërgohet në Tiranë, pasi kjo do të ndikojë në qasjen e politikës amerikane ndaj rajonit”, shtoi ai.

SHKARKO APP