”FoodLand”, festivali i ushqimit të shëndetshëm! Veliaj: U dedikohet konsumatorëve të vegjël
Perime që kërcejnë, pemë frutore argëtuese dhe një libër me receta të shëndetshme për shefa të vegjël! Këto janë disa nga detajet e festivalit tre ditor “FoodLand”, i cili po zhvillohet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pjesë e Bashkisë Tiranë, në zonën e Parkut të Liqenit.
Festivali u dedikohet fëmijëve me qëllim ndërgjegjësimin e konsumatorit të vogël, mbi mësimin e zakoneve të mira të ushqimit. Për këtë arsye, pjesmarrës janë fëmijë të moshës 5, 6 dhe 7 vjeç të cilët jo vetëm u argëtuan me lojëra zbavitëse, por morën pjesë dhe në konkursin e gatimit.
“Një festival që i dedikohet konsumatorëve të vegjël dhe rëndësisë së mësimit me zakonet e shëndetshme, si ushqimi dhe sporti”, shkruan Veliaj.
“FoodLand Fest” po organizohet tek Amfiteatri i Liqenit, në datat 16, 17 dhe 18 Mars duke ftuar çdo vogëlush të bëhet pjesë e lojërave kreative mbi ushqimin e shëndetshëm.