Albert Vataj: Ura e Bahçallekut, e dyta urë që gllabërojnë përmbytjet në Shkodër
Nga Albert Vataj
Më në fund u dorëzua edhe ajo! Pas 108 viteve shënjim, si një nga ngjarjet kulmore të infrastrukturës dhe zhvillimit në Shkodër, rezistuar me qëndresë, kjo relike e së shkuarës, kjo sprovë e kurajshme inxhinierike e një shekulli më parë, ura e vjetër e Bahçallekut, monument kulture i kategorisë së dytë që më 2010, nuk është më.
Pjesë të konsiderueshme të saj kanë përfunduar nën pushtetin e dhunshëm të përmbytjeve që u shkaktuan në zonën e Shkodrës pas hapjes së portave të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin mbrëmjen e 20 nëntorit 2022.
E inauguruar më 4 shkurt të vitit 1914, Ura e Bahçallëkut, ajo lidhte qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të saj, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë. Njëkohësisht mundësoi komunikimin e qytetit me pjesën tjetër vendit, duke shërbyer si arterie kruciale komunikimi të një prej qendrave më të rëndësishme historike, ekonomike dhe kulturore.
Ura e Bahçallekut mësohet të jetë ura e parë me kontruksion metalik në vendin tonë, e pasuar nga dhjetra të tjera. Ura e Bahçallëkut është e dyta urë që gllabëron përmbytja e zemërimit të natyrës. Ura prej guri me harqe ishte ndërtuar në vitin 1768 ne kohën e Mehmet Pashe Bushatit, në vitin 1858-59.
Kjo urë shembet nga përmbytjet e mëdha të ujërave të Drinit në vitin 1880. Ura tjetër me konstruksion metalik ndërtuar nga inxhinierë italianë në vitin 1914 dorëzohet 20 nëntorin e 2022, pasi këmbët u shkulën nga ujërat e rrëmbyeshëm, duke hedhur në vërshimin e përbindshëm pjesën metalike që mbahej prej tyre.
Siç dihet, urat janë më shumë se sa vetëm kapërcimi i një pengese, janë një hap i hovshëm zhvillimi dhe për kohën ishte një arritje e përmasave, të kësisojtë ishin edhe urat që i blatuam si kurban qëndrese përballë sulmeve të përvitshme të Drinit zemërak.
Ura e Bahçallekut, sjo që barti historinë e qytetit të Shkodrës mbi kurrizin prej metali, që priti dhe përcolli, uzurpatorë e çlirimtarë, miq e armiq, që u bë dëshmitar e dasmave e morteve, ajo është tashmë një trup i gjymtuar që vështron ashtu pikëllueshëm kërcënimin e natyrës dhe syt që e sodisin me trishtim.
Tashmë Ura e Bahçallekut, dëshmitarja e një hershmërie do të vijojë të shohë si një krijesë e kafshuar nga mosha, në një muzeum natyror. Do jetë aty e këputur si një e shkuar në kujtesë, dhe tash si një statistikë e dëmeve që përmbytja e ditëve të fundit bëri në Shkodër.