FOTO/ Damian Gjiknuri vizitë në Washington, takime me kongresmenë amerikanë
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaccëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë. Shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Washington Ervin Bushati, Gjiknuri zhvilloi një takim me kongresmenin Jim Himes.
“Nisur nga interesimi i tij rreth votës së diasporës, e informova kongresmenin në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe garantimin në ligj të kësaj të drejte për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit tonë. Gjithashtu e njoha me përpjekjet e përbashkëta për të mbushur çdo boshllëk legjislativ në lidhje me këtë të drejtë të sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Me rëndësi thelbësore miratimi i një metode votimi nga jashtë që siguron integritet dhe llogaridhënie administrative për këtë proces sa të rëndësishëm aq edhe sfidues. U angazhova të informoj në vijimësi Kongresin në lidhje me ecurinë e këtij procesi edhe në kuadër të interesimit të shumë organizatave dhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gjiknuri në një postim në Facebook.
Bashkë me disa deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë ai takoi kongresmenin Peter Sessions. “Diskutuam tema të çështjeve që lidhen me sigurinë në rajon ashtu sikurse me zhvillimet më të fundit në rrafshin e sigurisë botërore. Me interes edhe mesazhet kyçe që pritet të përcillen ditën e nesërme në konferencën për sigurinë dhe sfidat e rajonit tonë, e cila do të zhvillojë punimet në mjediset e Kongresit të Shteteve të Bashkuara!”, nënvizon Gjiknuri.