FOTO/ Festë kuqezi në Athinë, Balla: Qeveria mbështet fuqimisht diasporën në Greqi

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla ishte pjesë e një aktiviteti festiv në Athinë të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë, ku morën pjesë shumë shqiptarë nga e gjithë Greqia për të kremtuar Festën e Pavarësisë. Balla theksoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve për të promovuar kulturën, artin dhe historinë kombëtare, duke e vënë në qendër të vëmendjes mbështetjen që qeveria shqiptare po ofron për diasporën.

”Këto janë momentet kur shqiptarët mblidhen jo vetëm për të festuar ditën tonë kombëtare, por edhe për të promovuar artin, kulturën, letërsinë dhe historinë tonë. Qeveria do të vazhdojë t’i kushtojë një vëmendje të veçantë diasporës. Për shqiptarët që jetojnë në Greqi, kemi dhënë një zgjidhje për një nga problemet kryesore, mësuesit e gjuhës shqipe. Falë programit “Mësues për Greqinë”, ne do të kemi një numër të konsiderueshëm mësuesish të financuar nga qeveria shqiptare, për të garantuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë që lindin këtu”, tha ai.

Balla gjithashtu njoftoi edhe vizitën e tij në Kretë, duke theksuar rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta me shqiptarët që jetojnë në këtë ishull. Festa e organizuar në Athinë ishte një moment krenarie dhe bashkimi për shqiptarët në Greqi, duke treguar se traditat kombëtare vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen tek brezat e rinj në diasporë.

SHKARKO APP