FOTO/ Flamuri Kuqezi dhe tullumbacet pushtojnë qiellin e Tiranës, Veliaj: Shqipëria në ditët e saj më të mira
Në Tiranë është ngritur flamuri i Pavarësisë, në përkujtim të 112 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga pushtuesit osman.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Sheshin Skënderbej, ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Qindra qytetarë kanë dalë në shesh me flamuj kuqezi, për të festuar nën ritmin e këngëve popullore shqiptare Ditën e Pavarësisë.
Veliaj tha gjatë fjalës së tij se sot Shqipëria është në ditët e saj më të mira, me shpresën se do të bëhet anëtare e BE-së.
”Sot jemi në ditët tona më të mira. Shqipëria është një vend që do të jetë ndoshta anëtari i ardhshëm i BE-së. Kosova është e pavarur. Tirana para 2 vitesh ishte kryeqyteti Europian e Rinisë, një vit më parë ishte kryeqyteti europian i Sportit. Gëzuar ditën e Flamurit, të rrojë Shqipëria e shqiptarët kudo që janë”, tha Veliaj.
Më herët flamuri u ngrit edhe në Vlorë, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfshi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.