FOTO/ Hapet dyert spitali i Pediatrisë së Specialiteteve, Rama: Ambient mësimor dhe modern për fëmijët

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte në inagurimin e spitalit të Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku tha se është transformuar në një strukturë moderne. Rama u shpreh se ky investim është pjesë e modernizimit të shëndetësisë, duke përfshirë spitalet pediatrike dhe maternitetet rajonale në të gjithë vendin.

”Vij përsëri këtu për një tjetër derë që hapim në këtë qendër spitalore, ku transformimi është i gjithanshëm dhe ku ende pak struktura mbeten për t’u integruar në këtë tërësi të transformuar. Më vjen shumë mirë po ashtu, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti, me financimet e këtij viti do të realizojmë edhe transformimin e strukturës së tretë, të Pediatrisë Infektive”, bëri të ditur Rama.

Kryeministri nënvizoi se ky është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliard euro, një buxhet i lartë dhe i paimagjinueshëm deri disa vite më parë. Rama bëri të ditur se falë bashkëpunimit me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve nga Izraeli do të krijohet shkolla pranë Pediatrisë.

”Kemi një sërë projektesh përpara në drejtim të shërbimit gjinekologjik, ashtu sikundër kemi dhe një sërë projektesh për të vazhduar me ripërtëritjen e qendrave shëndetësore sepse siç ju e dini më mirë se të gjithë, rënia e presionit, ulja e presionit që ka qenë i jashtëzakonshëm ka filluar të ulet, por prapë është i madh mbi Qendrën Spitalore, është një domosdoshmëri dhe fuqizimi i niveleve të tjera është rruga për ta balancuar këtë, duke i dhënë mundësi qendrës suaj që të jetë një qendër realisht universitare”, shtoi Rama.

Po ashtu Rama i siguroi mjekët se do të vazhdojë përmirësimi dhe lehtësimi i kushteve të punës, duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që punojnë në këtë qendër që të vijnë në punë dhe të kenë të gjitha mundësitë për të ushtruar me cilësinë më të lartë këtë profesion, që lidhet me jetën e njerëzve. ”Pa diskutim që ne kemi ende probleme për të adresuar, pa diskutim që jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura që kemi marrë në të shkuarën të na vlejnë dhe njëkohësisht ngjarjet si ajo e Onkologjikut të mos përsëriten, por nga ana tjetër, kjo është një betejë e përditshme, që nuk është vetëm një betejë shqiptare”, tha Rama.

SHKARKO APP