FOTO/ Kryeparlamentarja Spiropali pret presidentin izraelit: Miqësia mes vendeve tona është historike

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, në kryesinë e Kuvendit, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Kjo është hera e parë që një president izraelit viziton Shqipërinë, duke shënuar një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në takim morën pjesë anëtarët e grupit të miqësisë me Knesetin: zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, kryetarja e grupit të miqësisë Blerina Gjylameti, deputetët Blendi Klosi dhe Oerd Bylykbashi, si dhe ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, dhe ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi krenarinë e shqiptarëve për marrëdhëniet historike me hebrenjtë. “Në kohë të vështira shqiptarët e të gjitha besimeve kanë mbrojtur hebrenjtë nga përndjekjet, sidomos prej nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kanë rrezikuar jetën dhe familjet e tyre, por hebrenjtë nuk i kanë dorëzuar. Miqësia mes nesh është mbrujtur dhe ka kaluar përmes provash të forta”, u shpreh Spiropali.

Spiropali nënvizoi partneritetin e fortë me Izraelin në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike. Ajo vuri theksin gjithashtu në rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit dhe përmendi angazhimin e Kuvendit në këtë drejtim, pas miratimit të rezolutës për përkufizimin e antisemitizmit dhe organizimit të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit.

Presidenti Herzog, shprehu mirënjohjen për pritjen dhe vlerësoi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë periudhave të vështira. Ai përgëzoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit në shumë fusha dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dypalësh. Herzog vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Knesetit, duke garantuar mbështetjen e tij për forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve si edhe ftoi Kryetaren Spiropali të vizitojë Izraelin.

SHKARKO APP