FOTO/ Nesër mbledhja e qeverisë Rama dhe Kurti në Gjakovë, zbulohet slogani

Nesër në Gjakovë do të mbahet mbledhja e radhës mes qeverisë së Ramës me të Albin Kurtit. ”Të përbashkuar”, ky është koncepti i ri i sloganit i zgjedhur nga organizatorët e qeverisë së Kosovës për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet ditën e nesërme në Gjakovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës për mediat, ka dhënë detaje për mbledhjen e qeverisë së tij me atë të Shqipërisë, e cila do të mbahet të mërkurën në Gjakovë. Ai zbuloi se në këtë mbledhje do të nënshkruhen 13 marrëveshje.

“41 marrëveshjeve të më hershme, prej të cilave 39 të zbatuara plotësisht e dy të tjera në fazën finale të zbatimit, do t’i shtohen edhe 13 të reja në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, sipërmarrjes e mbrojtjes dhe një deklaratë e përbashkët për forcimin në fushën e sigurisë”, tha Kurti në konferencë për mediat. “Në rend të ditës do të jetë edhe diskutimi lidhur me bashkëpunimin për realizimin e një qëllimi të hershëm, atë të bashkimit doganor”.

Po ashtu Kurti shtoi se në këtë takim do të jenë të pranishëm dhe kryebashkiakët e zonave kufitare, të cilët do të diskutojnë për sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësit në përfitim për qytetarët.

“Nga prilli i këtij viti mbi 200 mijë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 kilometra nga kufiri tokësor, kanë të drejt të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare për arsye sociale, kulturore, familjarë e shëndetësore”, tha ai.

SHKARKO APP