FOTO/ Rama: Berati, spektakël magjik ngjyrash mbi shtëpitë e lagjes Mangalem
Festat e fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e një mbi një dritareve si asnjëherë më parë. Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike e kanë shndërruar Beratin në një qytet vërtet magjik.
Kryeministri Edi Rama ka postuar pamje nga lagjja Mangalem, në natën e Krishtlindjes. “Berati në një spektakël magjik dritash, ngjyrash, historish e tingujsh mbi shtëpitë e lagjes Mangalem”, tha Rama.
Ndriçimi me drita shumëngjyrëshe është realizuar edhe në dy urat mbi lumin “Osum”, në urën Goricës dhe “Urën e Varur”, dritat e të cilave kanë reflektuar si një ylber mbi lumë.
Bashkia e Beratit ka ndezur dritat e pemës tradicionale të Krishtlindjeve, e cila është vendosur këtë vit në mes të lagjeve muzeale “Mangalem” e “Goricë”, ndërsa vezullimi i dritave ka mbuluar gjithë qytetin.