FOTO/ Rama dhe Koçiu në godinën e re të Poliklinikës së Specialiteteve në Elbasan: Do rrisim pagat e infermierëve

Poliklinika e Re e Specialiteteve në Elbasan është një tjetër institucion shëndetsor i transformuar nga themelet, falë investimit të buxhetit të shtetit, që ofron kushte bashkëkohore për shërbime mjekësore të specializuara. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, ku vizitoi Poliklinikën e re së bashku me Ministren e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.

“Poliklinika e Specialiteteve me një godinë tërësisht të rikonstruktuar jo vetëm në infrastrukturë por edhe në pajisje bashkëkohorë. Kjo godinë është e 1975 dhe ka pasur vetëm një rikonstruksion xhamash, ndërkohë që tani është bërë e gjitha nga e para dhe me standarte, sa i përket edhe personave me aftësi të kufizuara për të marrë shërbime më lehtësisht në këtë infrastrukturë. Këtu jemi në holl tërësisht të infrastrukturuar, me 6 poste pune për të pritur afro 350 qytetarë në ditë. Pajisjet imazherike ndihmojnë në shkurtimin e kohës së çdo qytetari që vjen dhe diagnostikohet këtu sepse nuk bëjnë më vajtje-ardhje nga Poliklinika në spital, por këtu mund të diagnostikohen lehtësisht, duke përmirësuar kështu, jo vetëm cilësinë e kushteve të punës për mjekët, por edhe cilësinë e shërbimit që i ofrohet qytetarëve.” – shpjegoi Ministrja Koçiu.

Në Poliklinikë ofrojnë shërbim 55 mjekë specialistë dhe 23 infermierë të cilët mbulojnë shërbimin ambulator.
Poliklinika Specialiteteve është e organizuar në 40 kabinete, me akses të shpejtë dhe shërbime cilësore në 18 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe ekzaminime ambulatore e laboratorike, ndër të cilat: shërbimi i KML dhe shërbimi i Dispancerisë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve pneumologjike; ekzaminime ambulatore të ndryshme imazherike dhe laboratorike, EKG, EEG, audiograma dhe spiromeria. Ndërkohë që një shërbim i rëndësishëm do t’i shtohet kësaj strukture sa i përket diagnostikave të shëndetit mendor.

Kryeministri Rama vlerësoi punën transformuese në Poliklinikën e re, ndërsa theksoi se pas rritjes së pagave për mjekët do të vijojë rritja e pagave për infermierët.

SHKARKO APP