FOTO/ Rama shikon nga afër pallatet në Laç, në korrik 60 familje do të bëhen me apartamente të reja
Në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në bashkinë e Kurbinit vijon intensivisht procesi i Rindërtimit, duke u shtrirë në të gjitha lagjet e rrugët e brendshme. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç, ku inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në zonën e re, për zhvillim, ku një pjesë e apartamenteve janë drejt përfundimit, ndërsa të tjerat në faza të ndryshme të punimeve. Aktualisht janë në ndërtim e sipër apartamente të 3 tipologjive, (1+1; 2+1 dhe 3+1), të shpërndara në 10 pallate, pjesë e zonës së re për zhvillim, ku brenda këtij viti do të akomodohen 375 familje. Por jo vetëm.
Krahas ndërtimit nga themelet të apartamenteve të reja me kushte optimale, po bëhet edhe ndërtimi i rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane të zonës përreth, duke zgjeruar hapësirat publike, dhe duke krijuar komoditet në lëvizjen e mjeteve, me akses të përmirësuar për lëvizjen e këmbësorëve dhe korsi të dedikuar të lëvizjes me biçikleta.
“Tashmë po shkojmë drejt përfundimit të 60 apartamenteve për të bërë gati fillimin e korrikut hedhjen e shorteut për 60 familje e para dhe po ecim vazhdimisht dhe me hyrje të tjera për të bërë të mundur që brenda këtij viti të dorëzojmë edhe gjithë këtë lagje. Në këtë lagje të re për zhvillim janë 170 apartamente, ka 6000 m2 infrastrukturë nëntokësore, parkime dhe të gjitha katet e para të gjithë subjekteve janë me njësi shërbimi, që do të jenë pastaj dhe një promotor ekonomik. Ka dy tre parqe midis grupeve të pallateve. Të gjitha janë me parkim nëntokësor, janë rreth 50 biznese në gjithë këtë bllokun e pallateve këtu”, shpjegoi kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.